Reshjet e shiut shkaktojnë vështirësi në Prishtinë, autoritetet paralajmërojnë qytetarët

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, duke bërë apel për respektimin e masave të sigurisë.
“Sipas raportimeve tona, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar deri tani në mbi 40 raste, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm,” theksojnë nga Drejtoria.
Autoritetet paralajmërojnë se gjatë orëve në vijim, nëse intensiteti i reshjeve vazhdon, mund të paraqiten vështirësi shtesë, veçanërisht në zonat rurale të Prishtinës.
Në këtë kontekst, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u bën thirrje qytetarëve:
- Të shmangin lëvizjet në zona të përmbytura dhe të mos kalojnë përmes ujërave të rrjedhshëm.
- Të mos parkojnë automjetet pranë përrenjve, lumenjve dhe nënkalimeve.
- Të sigurojnë bodrumet dhe hapësirat e ulëta të objekteve.
- Të raportojnë çdo situatë emergjente tek numrat zyrtarë të emergjencës.
“Drejtoria po koordinon të gjitha aktivitetet dhe menaxhimin e situatës në terren, në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar,” shtojnë autoritetet.
Çdo situatë emergjente mund të raportohet në numrat e telefonit: 0800 122 33; 0800 122 44. /Telegrafi/


































