KRM “Pastrimi” aplikon çmimoren e re për grumbullimin e mbeturinave

Kompania Rajonale e Mbeturinave KRM “Pastrimi” Sh.A. ka njoftuar qytetarët dhe bizneset e Prishtinës se ka filluar zbatimin e çmimores së re për shërbimin e grumbullimit dhe transportit të mbeturinave komunale, në përputhje me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në dhjetor 2023 dhe të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës (Akt Nr. 90391).
Sipas dokumentit zyrtar të çmimores, tarifa për amvisëritë rezidente është përcaktuar në 5.56 euro në muaj pa TVSH, respektivisht 6.20 euro në muaj me TVSH 8%, ndërsa për amvisëritë jorezidente tarifa vjetore arrin në 17.8 euro me TVSH.
Çmimorja parasheh tarifa të diferencuara edhe për bizneset, varësisht nga madhësia, zona dhe kostoja e shërbimit.
Për dyqanet e vogla dhe bizneset artizanale, tarifa mujore në zonat urbane është 8.4 euro me TVSH, ndërsa në zonat rurale 6 euro me TVSH.
Për bizneset e mesme dhe të mëdha, çmimet mujore në zonat urbane variojnë nga 15 euro deri në 30 euro me TVSH, në varësi të kostos së shërbimit, ndërsa në zonat rurale nga 8.4 deri në 18 euro me TVSH.

Dokumenti përfshin gjithashtu tarifa të veçanta për bizneset dhe institucionet me kontrata specifike për kontejnerë 1.1 m³ dhe 7.1 m³, ku çmimi për zbrazje për kontejnerin 1.1 m³ është 18 euro me TVSH, ndërsa për kontejnerin 7.1 m³ arrin në 64.50 euro me TVSH.
Po ashtu, janë përcaktuar çmime për shërbime me porosi të veçanta, përfshirë grumbullimin e mbeturinave të vëllimshme, të ndërtimit dhe demolimit, si dhe mbeturinave të gjelbra nga kopshtet, me tarifa që variojnë nga 9.4 deri në 9.9 euro për metër kub me TVSH.
Nga KRM “Pastrimi” theksohet se zbatimi i çmimores së re synon sigurimin e një sistemi financiar të qëndrueshëm, rritjen e transparencës në tarifim, përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe përmbushjen e standardeve mjedisore dhe të shëndetit publik.
Kompania mbetet e hapur për sqarime dhe bashkëbisedim me qytetarët dhe bizneset, duke theksuar se prioritet mbetet një qytet më i pastër dhe një proces i drejtë tarifimi për të gjithë.



















































