Ekipi i Komunës së Prishtinës së bashku me IHRC, ka ndërhyrë në 22 lokacione për t’i mundësuar lëvizje më të lehtë personave me nevoja të veçanta.

Kjo është bërë në kuadër të fushatës “Prishtina pa barriera”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media, tha se projektet e mëdha si platforma që ndërlidhë lagjen “Arbëria” me qendrën, krijimi i hapësirave të gjelbra publike dhe digjitalizimi i shkollave, do t’ua lehtësojë lëvizjen të gjithë qytetarëve, posaçërisht atyre me aftësi të kufizuara.


Ndërsa, ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala tha se kjo fushatë nuk është vetëm për personat me nevoja të veçanta, por edhe të moshuarit e grave me fëmijë me karroca, ku në 22 lokacione më së shumti kanë hasur në mungesë uljesh të trotuareve e mbajtësve të shkallëve.

Shala theksoi se një ndihmesë e madhe ka qenë edhe nga qytetarët e kryeqytetit, të cilët kanë dërguar foto të lokacioneve.

Rama dhe Shala kërkuan mbështetje nga qytetarët e vendit, që të bashkëpunojnë me komunën për të evidentuar lagjet që nuk kanë qasje për qytetarët me aftësi të kufizuara.