LAJMI I FUNDIT:

Prezantim i denjë i dr. Valbon Gashit në Stamboll në Kongresin botëror nga Flebologjia

Prezantim i denjë i dr. Valbon Gashit në Stamboll në Kongresin botëror nga Flebologjia

Kuadri ynë mjekësor, është i aftë për t’u krahasuar me ekspertët e nivelit më të lartë të mjekësisë evropiane dhe botërore. Këtë e dëshmoi edhe paraqitja e kirurgut vaskular dhe endovaskular dr. Valbon Gashit, MD,MSc,PhD, në këtë Kongres kulmor të mjekësisë bashkëkohore

Kohë më parë në Stamboll (12.09-16.09) është mbajtur Kongresi botëror nga Flebologjia (një lëmi nga Kirurgjia Vaskulare), i cili njihet si Kongresi më i madhi me pjesëmarrje të 1500-2000 ekspertëve nga gjithë bota.


Ky Kongres ka bërë të mundshme krijimin e një atmosfere jashtëzakonisht të hapur dhe miqësore në të cilën arritjet i kanë krahasuar autoritetet kryesore botërore dhe të vendit në këtë fushë ekzakte mjekësore.

Programi shkencor, i cili përbëhej nga leksione, tryeza të rrumbullakëta dhe simpoziume, bazohej në një numër të madh temash në fushën e sëmundjeve të enëve të gjakut, në përputhje me traditën shumëvjeçare të kongresit.

Në këtë Kongres me kumtesë shkencore me peshë të përfillshme nga kjo lëmi, prezantimet e Dr. Valbon Gashit u pritën me interesim të madh nga të pranishmit meqë metoda të cilën ai e aplikon është e veçantë dhe e rrallë në shkencat mjekësore.

Ajo që e bënë të veçantë këtë vendtubim ekspertësh, është fakti që për herë të parë Kosova prezantohet denjësisht duke ndarë përvojat dhe njohuritë bashkë me kirurgët më eminentë nga e gjithë bota.

Punimi dhe prezantimi i parë ishte: “Dy qendrat ballkanike dhe vlerësimi i kualitetit të jetës pas ndërhyrjeve në venat varikoze, respektivisht Ablacioni Termal Endovenoz, Radio-Frekuenca dhe Laseri”.

Njëra qendër ballkanike ishte Sofia (Bullgaria) me Dr Elena Goranova, e cila kishte bërë intervenimet në 150 pacientë me Radio-Frekuencë dhe Prishtina (Kosovë) me dr. Valbon Gashin, me 150 pacientë të trajtuar me Laser-1940.

Qëllimi ka qenë që të vërtetohet kualiteti i jetës mbas intervenimit, ditën e parë, ditën e shtatë dhe mbas 30 ditëve. Kualiteti i jetës definon dhimbjen, intensitetin e saj, aktivitetet fizike, sociale dhe psikologjike.

Dr. Valboni dëshmoi se Laseri 1940 është më i lehtë se intervenimet me Radiofrekuencë në 7 ditët e para dhe mbas 7 ditëve të intervenimit, nuk kanë ndryshime signifikative.

Këto dy intervenime janë të avancuara, shumë të mira për kualitetin e jetës dhe e vërteton se këto metoda, janë të parat që duhet të zgjidhen para metodave tjera e që i përgjigjen udhërrëfyesve botëror në lidhje me trajtimin e venave varikoze.

Në paraqitjen e tij të dytë me temën “Si bëhet miniflebektomia dhe mikroflebektomia sot”, Dr. Valbon Gashi, bazuar në dije të thelluara dhe eksperiencë shumëvjeçare, ka paraqitur teknikën e tij unike për largimin e venave, e cila aktualisht është më efektive në zgjidhjen e komplikimeve të sipërpërmendura. Kjo metodë e posaçme bëhet me anestezion lokal, nuk lë kurrfarë shenjash dhe ruan estetikën e këmbës.

Këtë teknikë të modifikuar, audienca e ka mirëpritur me kureshtje dhe, pas prezantimit është vërshuar nga pyetjet e shumta, por edhe për mundësinë që ekspertët e pranishëm të vijnë në Prishtinë ta mësojnë këtë metodë.

Venat e zgjeruara varikoze paraqesin një ndër problemet më të përhapura shëndetësore të kohërave tona. Më së shumti paraqiten si pasojë e predispozicionit gjenetik, por edhe si pasojë e mënyrës së jetesës.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 30% e personave në botë kanë probleme me vena. Pos që estetikisht nuk duken bukur, venat e zgjeruara dinë edhe të shkaktojnë komplikime.

Venat varikoze janë sëmundje e cila avancon me kalimin e kohës. Në qoftë se nuk shërohen në mënyrën e duhur, janë të mundshme komplikimet dhe shfaqja e trombit, i cili mund të përhapet në sistemin e thellë venoz (migron) dhe të dëmtojë mushkëritë që do të ishte fatale në jetë, por është e mundshme madje dhe krijimi i plagëve në këmbë. Fatkeqësisht, këto plagë shërohen shumë ngadalë dhe i kontribuojnë shqetësimeve fizike dhe psikike të pacientit.

Në përgjithësi termi varice i referohet venave të këmbëve, por ato mund të ndodhin kudo tjetër, si në venat e fytyrës, dorës,  ezofagut, stomakut, pelvike, venat ovariane te femrat ose venat e skrotumit te meshkujt etj.

Në trajtimin dhe mjekimin e venave të zgjeruara varikoze, intervenimi me këto metoda paraqet një revolucion që në masë të madhe zëvendëson metodat e deritashme klasike të operacionit kirurgjikal.

Mirëpo, është me rëndësi të zgjidhet metoda e duhur e shërimit të venave të zgjeruara, në mënyrë që rezultatet të jenë të përhershme dhe të suksesshme, si për shëndetin tuaj, ashtu edhe estetikisht për bukurinë e këmbëve tuaja. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori