Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të Papa Françeskut, e cila u mbajt në Vatikan, duke përfaqësuar shtetin e Kosovës në këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Me këtë rast, Osmani ka pasur mundësinë të takohet me liderë dhe personalitete të njohura botërore, të cilët kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit kreut të Kishës Katolike.


Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, presidentja Osmani ka ndarë disa momente nga këto takime, të shoqëruara me fotografi.

Ajo ka takuar ndër të tjerë edhe presidentin amerikan Donald Trump, shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit të Evropës, Antonio Costa, presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Gjithashtu, Osmani është takuar edhe me kardinalin italian Pietro Parolin, i cili shpesh përmendet si një nga kandidatët e mundshëm për të pasuar Papa Françeskun.

Në postimin e saj, Osmani ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e thellë për figurën e Papa Françeskut, duke e vlerësuar atë si një lider shpirtëror që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne.

"Papa Françesku do të mbahet mend për angazhimin e tij të palëkundur për paqen, dinjitetin njerëzor dhe solidaritetin ndërmjet popujve", ka shkruar Osmani, duke theksuar rolin e tij si një zë i fuqishëm në mbrojtjen e të dobëtëve dhe në ndërtimin e urave të dialogut ndërkombëtar.

Më tej, presidentja Osmani ka shtuar se trashëgimia e Papa Françeskut në përkushtimin ndaj të varfërve, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore mes kombeve, do të jetojë gjatë dhe do të mbetet frymëzim për brezat që vijnë.

Në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Lamtumira për Papa Françeskun, i cili vdiq të hënën në moshën 88 vjeç, u zhvillua sot në Sheshin e Shën Pjetrit.

Papa është varrosur në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe në Romë.

Santa Maria Maggiore, një bazilikë e ndërtuar në shekullin e katërt, ndodhet në një nga shtatë kodrat e lashta të Romës, në lagjen Esquilino, e cila është tani një nga zonat më të jetuara dhe multikulturore të qytetit.

Në një vendim të jashtëzakonshëm dhe të papritur për papën, Françesku e ka zgjedhur këtë bazilikë si vendin e tij të varrimit. Pas vdekjes, arkivoli i tij i thjeshtë do të shërbejë si simbol i përkushtimit të tij ndaj jetës të thjeshtë dhe të pandikuar nga lukset.

Bazilika, që është gjithashtu vend i varrit të skulptorit të njohur Gian Lorenzo Bernini, ka pasur një rritje të vizitorëve dhe pelegrinëve vitet e fundit, veçanërisht pas vdekjes së papës.

Me mozaikët e saj të mrekullueshëm dhe kishën e projektuar nga Michelangelo, Santa Maria Maggiore ofron një vend për meditimin dhe lutjen, duke shndërruar çdo vizitë në një përvojë shpirtërore të paharrueshme./Telegrafi/