LAJMI I FUNDIT:

Presidentja Osmani takon guvernatorin Mehmeti, flasin për zhvillimet e fundit të sistemit financiar

Presidentja Osmani takon guvernatorin Mehmeti, flasin për zhvillimet e fundit të sistemit financiar

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet në sistemin financiar dhe progresin e arritur në këtë fushë.

Vëmendje e veçantë iu kushtua masave të ndërmarra në mbështetje të ekonomisë së vendit gjatë periudhës së pandemisë, masa këto të cilat u treguan efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik.

Njëherësh, guvernatori Mehmeti e njoftoi presidenten Osmani lidhur me zbatimin e kërkesave dhe rekomandimeve që dalin nga raportet e institucioneve ndërkombëtare me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar të vendit.

Në takim u theksua rëndësia e stabilitetit financiar për zhvillimin dhe stabilitetin e ekonomisë së vendit, duke vlerësuar lart masat mbështetëse gjatë periudhës së krizës pandemike.

Gjithashtu u potencua rëndësia e ofrimit të shërbimeve cilësore me kushte të favorshme për qytetarët nga ana e sistemit financiar dhe njëherësh u ofrua përkrahje për institucionet e pavarura, që të veprojnë në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi dhe Kushtetutën e Kosovës.