26-vjetori i masakrës së Studimes, Osmani: Plagët nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta do të jetojë përherë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e masakrës së Studimes në Vushtrri, duke nderuar kujtimin e 116 grave, fëmijëve dhe të moshuarve shqiptarë të vrarë nga regjimi gjenocidal serb brenda vetëm dy orësh.
Në një mesazh përkujtimor, presidentja Osmani tha se plagët e asaj dite të kobshme nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta për mizoritë e kryera do të mbahet gjallë dhe do të përcillet brez pas brezi.
"Kujtesa për ta është obligim, drejtësia është qëllimi ynë, ndërsa martirët janë testament i përjetshëm i lirisë sonë," u shpreh Osmani, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtimit për viktimat dhe të kërkimit të drejtësisë për krimet e luftës.
"Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes”, përfundoi ajo. /Telegrafi/




























