LAJMI I FUNDIT:

Presidenti, tregimi i Bahriut dhe ripërcaktimi i kufijve

Presidenti, tregimi i Bahriut dhe ripërcaktimi i kufijve

1.

Presidenti Hashim Thaçi, ripërsëriti qëndrimet e tij të kohëve të fundit se është kundër shkëmbimit të territoreve e njëkohësisht duke qenë krejt i paqartë se çka nënkupton ai me korrigjim të kufijve. Synimin se do të punojë për bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën tani më nuk e paraqiti si projekt politik për të cilin do të angazhohet seriozisht dhe i cili është i mundshëm, por si dëshirë. Madje, si një dëshirë goxha e parealizueshme. Si dëshirë, besoj nuk ka shqiptar që është kundër. Por në thelb presidenti e la të nënkuptohej se nuk do të merret me atë punë. Ngadalë, pasi që projektin që nga fillimi e shpërfaqi jo të qartë për qytetarët (paqartësi që i frikësoi një pjesë të mirë të tyre), po rikthehet me qëndrime tek pjesa tjetër e klasës politike, e frikësuar dhe refuzuese ndaj kësaj ideje për arsye e interesa të ndryshme, por asnjëra në funksion të interesit publik e kombëtar. Po rikthehet ta dojë më shumë Leposaviqin në Kosovë sesa Kosovën me Preshevë. Po rikthehet në pozicionin që e bëjnë të gjithë politikanët tanë mediokër, jo t’i prijë procesit, jo ta mbrojë çështjen me guxim e vizionaritet prej burrështetasi, por të pres si të gjithë të tjerët. Nëse kjo realizohet si pjesë e ndonjë kompromisi të imponuar nga ndërkombëtarët, mbi të gjitha amerikanëve, atëherë mund ta pranojnë ndoshta të gjithë liderët bashkë.


E, në këtë vazhdë presidenti edhe mund të lavdërohet pak. Dhe, në fund do të thotë ai, dhe të gjithë të tjerët se ky në të vërtetë është korrigjimi i kufirit. Nëse nuk ndodh gjë, apo dështojnë bisedimet atëherë do të vazhdojnë betimet në integritet territorial, por pa ide e kreativitet për zgjidhje për qytetarët e këtij vendi. Ndërsa intimisht të gjithë e dinë se çdo stabilizim i përhershëm i Kosovës shkon përmes një marrëveshjeje finale me Serbinë. Duam apo nuk duam ne. E ironia është se do të duhej të donim, sepse është interes yni jetik.

2.

Duke folë presidenti, e duke i ndryshuar fjalët ku me ditë sa herë këto vitet e fundit, mu kujtua një tregim që na e tregonte shpesh Bahri Fazliu gjatë viteve 1990. Ishte periudha e përpjekjeve tona për fuqizimin e radhëve të politikës së luftës së armatosur çlirimtare dhe Bahriu me natyrën e tij të dashur e humorin e mprehtë, tregimet dinte t’i vendoste në kontekstin e rrethanave të kohës.

Diku në Llap, djali e baba vijnë në përfundim se nuk largohet Serbia pa luftë. Por, vendosin t’i thërrasin edhe burrat e katundit që ta kuvendojnë këtë punë e të fillojnë të organizohen. Pasi vijnë burrat e katundit në odën e tyre, djali e baba e hapin bisedën rreth luftës. Ata fillojnë t’u thonë bashkëvendësve se rrugë tjetër veç luftës së armatosur nuk ka andaj duhet të bëhen bashkë e të fillojnë të organizohen për luftë. Por, pasi çelet muhabeti i luftës, mysafirët fillojnë të largohen ngadalë një nga një e pa u hetuar shumë. Largohen as pa thënë natën e mirë. Në fund në odën e tyre, mbesin vetëm djali e baba. Atëherë djali i thotë babës: “Babë, po më duket që na mbet lufta te dera”.

Duke e kujtuar këtë tregim të një kohe të rëndë, më shkoi mendja sesi kjo puna e ripërcaktimit të kufijve na ‘mbet te dera’ ne LB-së prapë. Situata nuk është krejt e lehtë e as për humor, por më e rëndë ishte gjithsesi në vitet 90’. Andaj me vete këtë krahasim që papritur më erdhi ndër mend, teksa dëgjoja presidentin, e përcolla me një buzëqeshje ironike.

3.

Sidoqoftë edhe në këtë rast e kisha ngushëllim fundin e tregimit të djalit dhe babës. Në fund lufta kishte qenë e domosdoshme për t’u fituar liria dhe e pashmangshme për shkak të rrethanave të brendshme dhe të jashtme. Andaj si djali e baba që kishin pas mbet vetë, por në fund veç lufta ishte zgjidhja për lirinë e Kosovës, pa marrë parasysh se çka thonë presidentët tanë, kryeministrat (ish, aktual e në ardhje), liderët e pozitës e opozitës, analistë e gazetarë, nuk ka zgjidhje tjetër të drejtë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë përveç marrëveshjes finale që do të përfshinte ripërcaktimin e kufijve.

Nëse duam zgjidhje të përhershme të problemeve me Serbinë, nëse e duam Kosovën shtet funksional, nëse duam heqje të privilegjeve të padrejta dhe rrjedhimisht bllokuese për pakicën serbe (jo edhe të drejtat e tyre), nëse e duam ndryshimin e kushtetutës për t’i bërë këto ndryshime të mëdha, nëse duam hapjen e rrugës për bashkim, nëse duam stabilitet, sundim të ligjit e zhvillim ekonomik, nëse mendojmë pak për shqiptarët e Kosovës Lindore që janë pjesë e pandarë e jona, këtë e mundëson vetëm ideja e ripërcaktimit të kufijve. Pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, pjesa serbe e Leposaviqit, Zubint Potokut e Zveçanit me Serbinë. Të tjerat zgjidhje janë jashtëzakonisht të zymta madje të errëta për Kosovën. E para është të mos kemi marrëveshje fare dhe të mbesim në këtë status quo degraduese, rrënuese e drobitëse. Pa pranim në organizata ndërkombëtare, pa zhvillim ekonomik, pa sundim të ligjit, peng të betejave të brendshme politike që për qëllim do të kenë gjithmonë ‘çështjet e mëdha’ të pazgjidhura me Serbinë. Rrjedhimisht do ta kemi edhe në krye edhe këtë garniturë politike, me gjuhën e sjelljen e njëjtë politike.

Dy zgjidhjet e tjera të mundshme mund ta hapin rrugën e bosnjëzimit të Kosova (të shpresojmë jo edhe të libanizimit) përmes ndonjë marrëveshjeje që do të krijonte ose asociacionin ose autonominë për veriun. Qoftë varianti më i butë i asociacionit, qoftë ajo i autonomisë kombinuar me privilegjet bllokuese që serbët kanë me kushtetutë dhe ndikimin e Serbisë tek ta, do ta bënin Kosovën një shtet krejt jofunksional. Me këto opsione do të vazhdohet vuajtja e qytetarëve të këtij vendi edhe për dekada. E në fund, në vend të ripërcaktimit të kufijve sot, do të kemi vërtetë ndarjen e Kosovës nesër. Është koha e fundit të mendojmë jashtë skemave e kufijve mendorë që na i kanë caktuar të tjerët në rrethana të tjera, e kufij të cilët po i betonizojmë ne edhe kur të tjerët po ndryshojnë.

Në trend

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Osmani ia tha të gjitha në sy Vuçiqit, por një detaj me domethënie i presidentes mori të gjithë vëmendjen

Magazina
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
“Çka më kanë parë sytë” - Pas largimit nga Big Brother VIP Albania, Jetmir Salaj kërcënon produksionin se do të zbulojë sekrete?

“Çka më kanë parë sytë” - Pas largimit nga Big Brother VIP Albania, Jetmir Salaj kërcënon produksionin se do të zbulojë sekrete?

Magazina
Këshilli i Etikës rekomandon pezullimin e punës së Xhevat Krasniqit nën dyshimin për ngacmim seksual

Këshilli i Etikës rekomandon pezullimin e punës së Xhevat Krasniqit nën dyshimin për ngacmim seksual

Lajme
Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

Publikohet biseda e gjyqtarit me dhomën e VAR-it për golin ‘fantazmë’ të Lamine Yamal

La Liga
Kalo në kategori