LAJMI I FUNDIT:

Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

Presidenca e Kosovës tha se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”.

Këshilltari për media i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se këtë konfirmim Kasanof e ka bërë gjatë takimit që ka pasur në Uashington me shefen stafit të Osmanit, Learta Hollaj.

Kjo deklaratë nga Presidenca e Kosovës vjen pasi Trump në ditën kur mori mandatin e presidentit nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.


Radio Evropa e Lirë më 21 janar ka pyetur Ambasadën amerikane në Prishtinë dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por nuk ka marrë përgjigje.

Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

Aktualisht, USAD-i financon një sërë aktivitetesh në Kosovë, që përfshijnë mbështetje të reformave legjislative, përmirësimin e gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, ndihma për adresimin e sfidave të korrupsionit, ndihma për përmirësimin e konkurrencës tregtare e të tjera.

Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

Ndërkaq, në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës lidhur me këtë takim është thënë se Kasanof ka deklaruar se është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, synon normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarë të lartë amerikanë më herët kanë thënë se shpresojnë që ky proces të përfundojë me njohje të ndërsjellë, gjë që Kosova e kërkon. Por, Serbia ka kërkuar një lloj kompromisi, ku asnjëra palë nuk do të ishte fituese absolute apo humbëse absolute.

Hollaj, sipas njoftimit, me Kasanofin ka diskutuar edhe për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, pritjet nga ky proces dhe fushat që do të mbuloheshin nga ky dialog.

Më 10 janar, Osmani kishte deklaruar se Kosova dhe SHBA-ja shumë shpejt do të finalizojnë një marrëveshje për dialog strategjik mes dy vendeve, i cili, sipas saj, do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit.

SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Ndër vendet me të cilat SHBA-ja ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Dosja e Prokurorisë: Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi dërguan informacione e dokumente tek BIA për UÇK-në e AKI-në

Dosja e Prokurorisë: Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi dërguan informacione e dokumente tek BIA për UÇK-në e AKI-në

Drejtësi
Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Sociale
​Dëshmitari Ismet Tara i ashpër ndaj gjykatësve të Speciales: Krejt çka ndodhi gjatë seancës në Hagë

​Dëshmitari Ismet Tara i ashpër ndaj gjykatësve të Speciales: Krejt çka ndodhi gjatë seancës në Hagë

Drejtësi
Ambasadori britanik ngushëllon për vdekjen e Bajram Qerkinit

Ambasadori britanik ngushëllon për vdekjen e Bajram Qerkinit

Lajme
KQZ aprovon 63 mijë pako me vota nga diaspora, refuzon rreth 5 mijë tjera

KQZ aprovon 63 mijë pako me vota nga diaspora, refuzon rreth 5 mijë tjera

Politikë
Kurti uron Merzin për fitoren në Gjermani: Presim të thellojmë bashkëpunimin

Kurti uron Merzin për fitoren në Gjermani: Presim të thellojmë bashkëpunimin

Lajme
Kalo në kategori