Prattipati takohet me Hamzën, viziton zonat në Bajgorë ku po bëhet deminimi i mbetjeve shpërthyese të luftës

E ngarkuara me punë e Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Anu Prattipati, ka vizituar sot Mitrovicën e Jugut.
Gjatë kësaj vizite, Prattipati është takuar me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, shkruan Telegrafi.
Mes tyre është diskutuar për vizitën e saj në Bajgorë dhe përpjekjet për deminimin e tokës që po bëhen në atë zonë nga Ambasada amerikane.
Në njoftim thuhet se Ambasada amerikane në Kosovë mbështet punën kritike të “Norwegian People’s Aid” për pastrimin e hapësirave ku ka ndodhur lufta në Kosovë.
"Gjatë vizitës së saj në Bajgorë, Prattipati i'u bashkua partnerëve të festojnë 'rikthimin e tokës' afër Bajgorës, një moment i rëndësishëm në përpjekjen që Kosova të jetë e lirë nga mbetjet shpërthyese të luftës", thuhet në njoftim. /Telegrafi/












































