LAJMI I FUNDIT:

Populistët kanë kontroll në shumë shtete, ejani në Poloni dhe shihni se si zmbrapsen

Populistët kanë kontroll në shumë shtete, ejani në Poloni dhe shihni se si zmbrapsen

Nga: Anne McElvoy / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Vitet e mia të formimit në gazetari, kanë kaluar duke raportuar mbi ngrirjen përfundimtare të Luftës së Ftohtë – ditët e kohëve të vështira dhe të devalvimit të valutave. Kur sot kthehem në ato vende, e testoj veten nëse ia kam qëlluar me parashikimet se çfarë ka për të ndodhur përgjatë tri dekadave që nga ajo kohë. Për Poloninë, në veçanti, e kisha të vështirë ta parashikoja zigzagun mendjelehtë të pushtetit që ende shfaq brezin i cili marshoi për ta rrëzuar komunizmin, por protagonistët e të cilit grinden ashpër rreth mënyrës se si duhet ta qeverisnin vendin në shekullin XXI.


Flasim shumë për vendet që kohët e fundit kanë blerë biletën me një drejtim drejt politikës autoritare – Rusia dhe Turqia për versionet më të plota – dhe për përmbysjen e demokracisë në Hungari dhe shuarjen e institucioneve të pavarura.

Kam menduar se çfarë ndodh kur një vend, i cili ka përqafuar nacionalizmin populist, bën kthesë prej 180 shkallëve dhe me shpejtësi maksimale kërkon rivendosjen e normave ligjore dhe demokratike. Çfarë ndodh me ligjet e miratuara nga të zotët e mëparshëm të shtëpisë: gjykatat, mediat shtetërore, bizneset dhe institucionet e tjera të mbushura nga mbështetësit e njërës palë?

Polonia, në vazhdën e zgjedhjeve të vitit të kaluar të cilat ia dhanë fundin tetë viteve të qeverisjes së partisë së djathtë Ligj dhe Drejtësi – në favor të koalicionit të kryesuar nga Platforma Civile e Donald Tuskut – bie në sy për shkak të këtyre stuhive ligjore, etike dhe praktike. Një dokumentar për BBC Radio 4 ma ka dhënë mundësinë që ta përshkruaj këtë transformim, teksa qeveria Tusk merr “fshesën e hekurt” për të fshirë trashëgiminë e sundimit ultra-konservator.

Por, ka edhe një histori që është më e nuancuar dhe më paradoksale: qeveria e re i fitoi zgjedhjet dhe e formoi aleancën për pushtet që përfaqëson një pjesë të madhe të vendit – por, aspak të gjithë. Teksa spastron pengesat që bllokojnë vullnetin e saj, duhet të rivendosë pluralizmin për të shmangur përsëritjen e aspekteve të absolutizmit që mund të pasojnë.

Për një qeveri të udhëhequr nga Tusku, një veteran pro-evropian që ka vetëbesim, i cili i takon politikës së qendrës dhe i cili nuk e ndjek shkollën e fjalëve të mira (breksiterët ishin subjekte të stilit të tij thumbues kur llojit xhonsonian ia dëshiroi “një vend të veçantë në Ferr”), dhe me pak interesa të dukshme të përbashkëta, ky mund të jetë ndryshimi midis rikthimit të qëndrueshëm të politikës së qendrës dhe kapjes për ndryshimin e një kahu tjetër.

Por, teksa producenti im dhe unë udhëtuam nga rrugët plot zhurmë të Varshavës, përmes bazës së Ligjit dhe Drejtësisë në Vadovicë – ku një zonjë që po dilte nga bazilika iu përgjigj rreptë pyetjes në lidhje me qeverinë e Tuskut, duke thënë se është “koha që ai të kthehej te Zoti” – për në Krakovë për të folur me një grua që merrej me zbatimin e ligjeve drakoniane të abortit, më dukej sikur po kthehesha e trullosur nga një botë në tjetrën. Njerëzit pohuan se e kuptonin fatin e vendit të tyre, ndërkohë që bënin një vesh të shurdhër ndaj pikëpamjeve të të tjerëve.

Nuk është e vështirë për liberalët e Evropës perëndimore që të identifikohen me një figurë si zëvendësministri i Drejtësisë, Dariusz Mazur, i cili e përshkruan veten si “shumë të lodhur” pas viteve të sherreve mbi kontrollin e gjykatave, rregullatorëve dhe organeve legale të certifikimit. Për të, kjo ka të bëjë me spastrimin e sistemit gjyqësor të kontrolluar nga Ligji dhe Drejtësia – duke shmangur grackën e dukshme të kësaj qeverie që shihet si zëvendësimi i një numri të të preferuar me të tjetërt.

Këtu ka gjithashtu marrëdhënie të tensionuara për idenë e Evropës. Qeveria Tusk është miqësore me BE-në: është veteran i Brukselit dhe i zoti të punojë për t’iu përshtatur dëshirës së Polonisë për t’u marrë më seriozisht. Kthimi në “familjen” evropiane dhe qasja në fondet e BE-së ishin pjesë e qëllimit. Megjithatë, “fshesa e hekurt” mund të ketë hasur në ndalesë të vështirë pasi Banka Qendrore Evropiane ka kundërshtime ndaj kërcënimit të qeverisë Tusk për një gjykatë që synon të rrëzojë shefin e Bankës Qendrore të Polonisë, me arsyetimin se ai e cenon pavarësinë e bankës.

Këto përpjekje për të çrrënjosur tetë vjetët e “kapjes së shtetit” nga e djathta, përmes miqësisë personale dhe ideologjisë, garantojnë një periudhë të gjatë të rrëmujës institucionale – nuk është as e qartë nëse presidenti Andrzej Duda (besnik i ekipit të vjetër), do të lejojë që kryeministri të largojë ambasadorët që dëshiron t’i kthejë në vend.

Tusk (sipas standardeve të tij për të mos pasur kompromise) ka këmbëngulur se ky është rikalibrim “jo hakmarrje”, megjithëse është e vështirë të shihet se si do t’ia dalë me një pjesë e madhe të votuesve, partia e djathtë e të cilëve fitoi pjesën më të madhe të votave në zgjedhje. Dhe, qeveria e re mbahet e bashkuar nga një koalicion që në vetvete ka shumë opinione, duke zemëruar shumë aktivistë dhe votues të rinj të cilët ndihmuan në nxitjen e ndryshimit dhe duke dalë në mënyrë masive në zgjedhje për të rrëzuar Ligjin dhe Drejtësinë – dhe, ata tani dëshirojnë rezultate më të shpejta për abortin dhe reformat e tjera sociale.

Nga pikëpamja ekonomike, Polonia e lulëzuar sfidon pritshmëritë e mia si vend të cilin e mbaj mend nga koha përgjumjes në fund të viteve 1980, kur qëndrimi në kushtet dikensiane në fabrikën e llambave “Rosa Luxemburg” të Varshavës, do të kishte mjaftuar për të shtyrë këdo që të mendojë nëse komunizmi ishte ide iluminuese.

Tani i është afruar mesatares së BE-së për nga pasuria familjar, është përpara Spanjës dhe Irlandës, dhe qytetet kryesore ndihen si parajsa kozmopolite, me një numër të ukrainasve që kanë ikur në Perëndim për të filluar jetën e re.

Polonia e re ende mbart jehonën e ngjarjeve të zymta. Por, mund të rezultojë të jetë model për shtetet apo lëvizjet e tjera në Evropë dhe më tej, për ata që duan rikthim nga modeli “ultra”. Morali i kësaj historie është se është detyrë e nevojshme – por, jo e lehtë.