Itamar Ben-Gvir, politikani i krahut të djathtë izraelit dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, ka kundërshtuar fuqimisht qëndrimin e administratës amerikane për aneksimin e Bregut Perëndimor.

Në këtë drejtim, Ben-Gvir tha se nuk pajtohej me deklaratën e presidentit Donald Trump se Izraeli nuk mund ta aneksojë Bregun Perëndimor, përcjell Telegrafi.


Reagimi i tij vjen pasi presidenti amerikan tha se nuk do ta lejojë Izraelin të aneksojë Bregun Perëndimor, duke paralajmëruar se Izraeli do të humbasë mbështetjen e SHBA-së nëse e bën këtë.

"Kjo nuk do të ndodhë sepse u dhashë fjalën vendeve arabe... Izraeli do të humbasë të gjithë mbështetjen e tij nga Shtetet e Bashkuara nëse kjo do të ndodhte", kishte thënë Trump për revistën TIME në një intervistë të botuar të enjten.

“Kam vlerësim të madh për presidentin Trump, i cili është padyshim presidenti amerikan më pro-Izraelit. Dhe krahas kësaj, është e rëndësishme të theksohet: Izraeli është një shtet i pavarur sovran - anëtarët e Knessetit votojnë sipas gjykimit të tyre”, ka shkruar Itamar Ben-Gvir në Twitter.

Ai gjithashtu ka folur edhe për lirimin e mundshëm të udhëheqësit të burgosur palestinez Marwan Barghouti, një figurë që shumë e shohin si të aftë të bashkojë palestinezët pas një zgjidhjeje me dy shtete.

“Dhe Barghouti është një vrasës i neveritshëm nazist, me gjakun e shumë civilëve, grave dhe fëmijëve në duart e tij. Ai nuk do të lirohet dhe nuk do ta udhëheqë Gazën”, ka shkruar më tej Itamar Ben-Gvir.

Kujtojmë se ligjvënësit izraelitë votuan të mërkurën në favor të avancimit të dy projektligjeve për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar.

Më herët të enjten, ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se qeveria nuk kishte vendosur ta çonte votimin për aneksimin përpara në këtë fazë, në mënyrë që të siguronte suksesin e planit shumëfazor të Trump për Gazën.

Ndërtimi i vendbanimeve është zgjeruar me shpejtësi që nga viti 2022 kur qeveria e Netanyahut - më e djathta në historinë e Izraelit me partnerë koalicioni ultranacionalistë që kërkojnë aneksimin e Bregut Perëndimor dhe Gazës - erdhi në pushtet.

Ministria e Jashtme palestineze e dënoi veprimin e Knessetit, duke thënë se Izraeli nuk do të kishte sovranitet mbi tokën palestineze.

Izraeli ka ndërtuar rreth 160 vendbanime që strehojnë 700,000 hebrenj gjatë pushtimit të Bregut Perëndimor dhe Jerusalemit Lindor. Rreth 3.3 milionë palestinezë jetojnë pranë tyre.

Vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar - një qëndrim i mbështetur nga një mendim këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vitin e kaluar. /Telegrafi/