LAJMI I FUNDIT:

Politika, biznesi më fitimprurës

Politika, biznesi më fitimprurës
Ilustrim

Sa herë postoj ndonjë gjë për politikën, shfaqen edhe komentuesit që humbasin toruan dhe shkelin etikën. Shajnë majtas e djathtas, ndezin motorët e gjuhës së urrejtjes, paçka se presupozohet që diskutimi bëhet mes miqsh, qoftë dhe virtualë.

S’është e lehtë të thuash në mënyrë shteruese pse trazohemi kaq shumë kur flasim për politikë e politikanë.


Mund të jetë punë modeli. Që nga vitet 1920, kur në nahijen tonë u shfaqën partitë politike, e deri më sot, politika ka qenë jo aq ndeshje alternativash, sa përpjekje për t’i mbyllur gojën kundërshtarit. Me çfarëdo lloj mjeti: me vaj recini, plumba, shpifje, kërcënime, dëbime e internime, pare dhe gjithfarë aletesh të tjera, në çdo rast safí politike.

Dhe, ne, populli i thjeshtë, kur shohim modele të tilla, gati të përjetshme, kreshpërohemi e ndyjmë gojën, se politika kështu e dashka.

Por, mund të jetë edhe punë psikologjie. Politika është si puna e sportit, më shumë se mendimin nxit emocionet. Dhe atje ku hyn tifozllëku, merr fund arsyetimi e argumentimi e shpesh fillon sherri e shamataja.

Acarimi ynë sa herë flasim për politikë mund të ketë edhe motive puro pragmatike. “Jeta është aritmetikë, Olimbi”, thoshte Nikollaqi…

Fatkeqësisht, për gati një shekull, biznesi më fitimprurës në skërkat tona ka qenë dhe mbetet politika.

Të rreshtuar në skalione të kësaj apo asaj force politike jemi sulur të marrim pushtetin e të bëjmë plaçkë. Secili sipas takatit: kush ndonjë tender a koncesion, kush ndonjë post a vend pune e kush ndonjë thes miell. Huq i lashtë. Tëpkë si bashibozukët qëmoti.

Dhe, meqë sipërmarrja e prodhimi gjallojnë të mekëta e anemike si bari në hije, meqë mbetemi vend i varfër dhe të mirat nuk mjaftojnë për të gjithë, i sulemi njëri-tjetrit si bisha bishës.

Po ku ta dish, prirja për t’u acaruar sa herë flitet për politikë e politikanë, mund të ketë edhe arsye të tjera, që mendja ime nuk i shquan dot.