LAJMI I FUNDIT:

Policia thotë se në komunat e vërshuara ka rënë niveli i ujit: Nuk ka dëme në njerëz

Policia thotë se në komunat e vërshuara ka rënë niveli i ujit: Nuk ka dëme në njerëz

Pas reshjeve të shiut dhe vërshimeve gjatë ditës së enjte dhe në mbrëmje, kryesisht në pjesën veriore dhe veri-perëndimore të vendit, ka filluar të bije niveli i ujit, ka bërë të ditur policia.

Në njoftimin për media thuhet se aktivitetet në ato rajone vazhdojnë te jenë aktive.


“Nga raportime e njësive policore nga tereni, raportohet se në rajonin e Drejtorisë Rajonale Policore (DRP) Mitrovicë Jugu, kryesisht në Skenderaj dhe Mitrovicë Jug, niveli i ujit ka rënë, në disa ndërtesa në katet përdhese ka ende uji, në disa vende ka sasi uji i cili nuk është tërhequr krejtësisht”, thuhet në komunikatën për media.

Njësitet policore bëhet e ditur se janë në teren dhe po ballafaqohen me detyra përfshirë ndihmën për qytetarët dhe sigurinë në trafik.

“Aktivitetet po koordinohen me institucionet komunale dhe ato qendrore. Në rajonin e DRP Mitrovicë Veri niveli i ujit ka rënë”.

Tutje, thuhet se ka pasur intervenime nga kompani në pastrimin për heqjen e dheut e gurëve nga rrugët dhe tani janë të qarkullueshme. Po ashtu, policia njofton se nuk ka pasur dëme në njerëz.

“Në Istog, në katër fshatra të kësaj komune, ku ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë. Po ashtu në disa fshatra të Podujevës ka pasur vërshime dje, sot niveli i ujit ka rënë edhe pse ende jo tërësisht”.

Policia në fund ka apeluar që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të kenë kujdes gjatë ngasjes së veturave dhe po ashtu ka bërë thirrje që për çdo rast të kërkesave për ndihmë, qytetarët të thërrasin në numrat përkatës. /Telegrafi/