Dirk Schuebel ka nisur zyrtarisht mandatin e tij si Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke marrë detyrën si Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian.

Schuebel është diplomat gjerman me përvojë të gjatë në politikën e jashtme të BE-së.


Ai ka shërbyer më herët si Ambasador i BE-së dhe Shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi, nga viti 2019 deri më 2022, si dhe në Moldavi nga viti 2009 deri më 2013. Së fundmi ka qenë Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.

Me rastin e marrjes së detyrës, Schuebel tha se pret të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetet, me synim avancimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Pres me padurim të punoj me institucionet e Kosovës, akterët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet për ta ndihmuar Kosovën shumetnike të avancojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha Schuebel.

Ai theksoi se do të mbështesë të ardhmen evropiane të Kosovës, duke bërë thirrje për angazhim të përbashkët dhe për ta vendosur integrimin në BE përtej ndarjeve politike.

Schuebel u shpreh gjithashtu se do të mbështesë angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Duke vlerësuar përafrimin e Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ambasadori i ri tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën.

BE-ja, sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, ka ofruar më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë për Kosovën që nga viti 1999, duke përfshirë rindërtimin, ndërtimin e institucioneve, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë.

Schuebel bëri thirrje edhe për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës, në mënyrë që vendi të mund të përfitojë plotësisht nga mbështetja evropiane.

“Përpara kemi një dritare të rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaft të konsiderueshëm të IPA”, tha ai.

Sipas tij, shfrytëzimi i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në reforma dhe në agjendën e integrimit evropian.

Në detyrën e tij, Schuebel do të ofrojë këshilla dhe mbështetje për proceset politike në Kosovë, do të promovojë koordinimin e politikave të BE-së dhe do të mbikëqyrë bashkëpunimin mes BE-së dhe Kosovës, përfshirë reformat që lidhen me rrugën e integrimit evropian.

Ai do të mbështetet nga Zëvendësshefi i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, dhe ekipi i Bashkimit Evropian në Kosovë. /Telegrafi/