Policia shpall në kërkim Edon Bytyqin, i dyshuar për 14 vepra penale

Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Edon Bytyqin, i cili dyshohet për kryerjen e 14 veprave penale.
Sipas njoftimit zyrtar, identifikimi i personit të dyshuar është bërë në bashkëpunim me Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), përmes së cilës është kërkuar asistimi i autoriteteve kompetente të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Hetimet kanë zbuluar se Bytyqi, përmes paraqitjeve të rreme dhe me qëllim përfitimi të kundërligjshëm, ka përdorur emra të personave publikë dhe zyrtarë shtetërorë për të mashtruar qytetarët, duke i bindur që t’i dërgonin para përmes institucioneve të transfereve financiare.
Në bazë të këtyre provave, hetuesit policorë kanë paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, në mungesë të të dyshuarit. Sipas Policisë, ai dyshohet se ndodhet aktualisht në territorin e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Autoritetet theksojnë se Bytyqi ka urdhër-arreste aktive edhe për vepra të mëhershme penale, ndërsa ekziston mundësia që ai të lëvizë në shtetet e rajonit.
Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët, duke i ftuar që për çdo informatë që mund të ndihmojë në lokalizimin dhe arrestimin e tij, të njoftojnë menjëherë organet e rendit.


































