Policia e Shtetit ka bërë të ditur për një operacion policor të zhvilluar në Tiranë, ku arrestuan dy kushërinj që furnizonin grupe të ndryshme me kokainë, e më pas droga shpërndahej në kryeqytet.

Policia ka publikuar pamje nga aksioni, gjersa në veturën e të dyshuarve ka gjetur 2 pako me 2 kg e 235 g, lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një pistoletë e dyshuar lodër.


“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për 2 shtetas që transportonin lënde narkotike Kokainë, me qëllim shitjen, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin ‘Hallka e parë’.

Në kuadër të operacionit, është konstatuar në lëvizje automjeti me të cilin dyshohej se transportohej lënda narkotike. Automjeti, me të cilin lëviznin shtetasit A. N., 34 vjeç dhe S. N., 31 vjeç, është ndjekur nga shërbimet e Policisë, deri në vendin e quajtur ‘treshi’, ku është ndaluar për kontroll”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të imtësishëm, në këtë automjet u gjetën 2 pako me 2 kg e 235 g lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një pistoletë e dyshuar lodër.

"Në vijim të veprimeve procedurale shtetasit A. N. dhe S. N. u arrestuan në flagrancë, për veprën penale 'Prodhimi dhe shitja e narkotikëve'. Nga veprimet hetimore dyshohet se dy shtetasit furnizonin me kokainë, shtetas dhe grupe, të cilat e ndanin lëndën në doza, me qëllim shitjen në zonat 'Alliasi' dhe 'Oxhaku':, thuhet tutje.

Policia njofton se po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/