Policia në Gjilan fton qytetarët e dëmtuar nga terapitë e Arianit Sllamnikut të paraqiten për intervistim

Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga Arianit Sllamniku dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit.
Përmes këtij njoftimi policia ka bërë të ditur se drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘’Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’’ dhe ‘’Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave’’ me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.
“Në kuadër të këtyre veprimeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materiale apo shëndetësore, që të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sot është arrestuar Arianit Sllamniku dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë. /Telegrafi/





















































