Policia në Ferizaj arreston një person për armëmbajtje pa leje dhe kanosje

Policia e Kosovës në Ferizaj, ka njoftuar se në fshatin Dubravë, njësiti antidrogë ka ndërhyrë pas një fjalosjeje mes dy personave. Në asistim ka mbërritur edhe patrulla e stacionit policor të Ferizajt.
“Gjatë kontrollit tek i dyshuari R.O. (19 vjeç), është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator dhe një fishek në tytë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët e stacionit. Personat janë shoqëruar në stacionin e policisë dhe nga hetimet e zhvilluara, konflikti kishte nisur pas një kërkese për shoqërim të dërguar nga personi Z.M. (20 vjeç) një vajze në rrjetet sociale. I dyshuari R.O. e kishte thirrur personin Z.M dhe e kishte kërcënuar me armë”, thuhet në njoftim të Policisë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar procedura penale për veprat "Armëmbajtje pa leje" dhe "Kanosje", ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë./Telegrafi/


















































