LAJMI I FUNDIT:

Policia ndalon kontrabandën në Novosellë, sekuestron mallra shtëpiake

Policia ndalon kontrabandën në Novosellë, sekuestron mallra shtëpiake

Policia e Kosovës ka parandaluar sot një rast të kontrabandimit me mallra.

Njësitet policore kufitare të SPMK Muçivërcë – DRPK Lindje, gjatë operacionit policor të tyre në fshatin Novosellë, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta të disa personave, të cilët dyshohet se po kryenin veprime të paligjshme si dhe kanë identifikuar një mjet furgon të dyshuar me targa vendore.

Lidhur me rastin njësitë policore kanë reaguar në mënyrë të menjëhershme, me ç’rast është arritur të ndalohet furgoni i dyshuar, ku pas kontrollit të tij është konstatuar se drejtuesi i tij mashkull kosovar kishte të ngarkuar mallra të ndryshme të sjella nga Evropa, si: dhomë gjumi, orendi kuzhine, 1 televizor, 6 telefona mobilë, enë kuzhine, pajisje të tjera shtëpiake me vlerë të konsiderueshme.


“Bazuar në dyshimet e arsyeshme, dyshohet se malli i gjetur është futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale, me qëllim përfitimi personal ose në dobi të një personi tjetër. Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është cilësuar si ‘kundërvajtje doganore’, ndërsa malli i sekuestruar i është dorëzuar Doganës për vlerësim dhe procedim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

Furgoni është sekuestruar nga Policia e Kosovës, pasi drejtuesi i tij po e drejtonte automjetin gjatë periudhës së ndalimit të patentë-shoferit.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe veprimeve të tjera të paligjshme, duke garantuar rendin dhe sigurinë në kufijtë
shtetërorë. /Telegrafi/