Policia e Nju Jorkut ka shkatërruar me buldozerë 70 motoçikletat e konfiskuara, me të vetmin qëllim që t’i tregoi opinionit se po aplikohet një politikë e rreptë për ngasësit e vrazhdë nëpër rrugët e këtij qyteti.

Shkatërrimi i motoçikletave është bërë në prani të medieve, derisa aksioni i policisë së Nju Jorkut konsiderohet si qërim hesapesh me ngasësit e vrazhdë, shumica prej të cilëve janë kryesisht të rinj pa patentë shofer, të cilët ‘fluturojnë’ rrugëve me motoçikletat e paregjistruara dhe të modifikuara që janë të dedikuara për terrene malore, transmeton Telegrafi.


Shefi i policisë William Bratton, ka deklaruar para gazetarëve se këta shoferë përbëjnë kërcënim të jashtëzakonshëm jo vetëm për veten e tyre, por për të gjithë qytetarët.

Motoqikletat e sekuestruara janë vënë pranë bregdetit në Brooklyn, dhe me dy buldozerë janë shkatërruar plotësisht. /Telegrafi/