Policia Rajonale e Ferizajt ka shtuar masat në komunikacion gjatë 24 orëve të fundit, me synim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

Sipas njoftimit zyrtar, vetëm në këtë periudhë janë shqiptuar 214 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, ndërsa pesë shoferë janë ndaluar për shkelje të rënda.


Ndaj tyre është inicuar masa mbrojtëse e heqjes së patentë-shoferit, ndërsa disa automjete dhe motoçikleta janë konfiskuar.

Gjatë kësaj kohe janë regjistruar gjithsej gjashtë aksidente trafiku: katër me lëndime trupore, ku gjashtë persona kanë mbetur të plagosur, dhe dy me dëme materiale.

Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion për kujdes të shtuar dhe respektim të rregullave të qarkullimit, duke ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë shkeljet përmes numrit 192, stacionit më të afërt policor apo aplikacionit “Lajmëro Policinë”. /Telegrafi/