Policia e Kosovës dhe hetuesit rajonalë janë parë duke hyrë në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut, pas raportimeve për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave të balotazhit të 9 nëntorit.

Komisionerët e PDK-së kishin raportuar se disa fletëvotime me numra serikë të caktuar ishin gjetur në klasa të tjera votimi, çka ngriti dyshime për manipulim. Numërimi ishte ndërprerë pas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, e cila më pas ka urdhëruar rifillimin e procesit.


Kompania sllovene CETIS, që ka printuar fletëvotimet, ka marrë përgjegjësinë për gabimin teknik, duke sqaruar se problemi “ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat e printerit përgjegjëse për numrin e qendrës së votimit”.

Për të garantuar integritetin e procesit, Prokuroria ka caktuar dy hetues policorë që do të mbikëqyrin numërimin deri në përfundimin e tij./Teklegrafi/