Polici që frymëzoi Serpicon e Al Pacinos

Frank Serpico u qëllua më 3 shkurt 1971, pasi zbuloi korrupsionin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut. Vitin tjetër, BBC raportoi për kalbjen “e përhapur” në forcën policore të Mollës së Madhe [Nju-Jorkut].
Nga: Greg McKevitt / BBC (titulli: 'The dishonest officer should fear the honest one': The policeman who inspired Al Pacino's Serpico)
Përkthimi: Telegrafi.com
Drama kriminale e vitit 1973, Serpiko [Serpico] u shkëput drejtpërdrejt nga titujt e gazetave. Bazuar në bestsellerin e Peter Maasit, filmi kishte Al Pacinon në rolin kryesor - taze nga suksesi në rolin e Majkël Korleonit te Kumbari [The Godfather] - si polici idealist Frank Serpico i cili guxoi të përballej me korrupsionin në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut [NYPD].
Ndershmëria e tij kokëfortë e vuri në konflikt me kolegët. Por, a kishte kjo lidhje me momentin e 3 shkurtit 1971, kur ai u qëllua gjatë një bastisjeje për narkotikë? BBC raportoi për hetimin pasues në vitin 1972.
Serpico, djali i emigrantëve italianë, iu bashkua NYPD-së në vitin 1959 për t’i shërbyer komunitetit. Në vitin 1965, u bë oficer me rroba civile - një hap drejt detektivit. Idealizmi i tij u përplas shpejt me pandershmërinë e disa prej kolegëve të tij. Zbuloi se korrupsioni ishte i përhapur. Një polic mund të merrte deri në 800 dollarë në muaj - ekuivalenti i rreth 8 000 dollarëve [6 766 euro] sot - nga operacionet e lojërave të fatit, me zyrtarët e lartë që merrnin një shumë më të madhe.
Në vitin 1967, Serpico u bë informator, duke sjellë prova të këtij korrupsioni tek eprorët e tij. Në këmbim, ai u ngacmua dhe u kërcënua. Më pas iu bashkua në këtë mision David Durkut, një tjetër oficer i guximshëm i NYPD-së që kishte kontakte në nivele të larta. Teksa Durku ishte jurist pedant dhe familjar, Serpico ishte një shpirt i lirë dhe vetmitar - një tjetër arsye pse nuk ishte i pëlqyer nga kolegët.
Në vitin 1970, i zhgënjyer dhe pa rrugëdalje, Serpico dhe Durku ia dorëzuan zbulimet e tyre gazetës New York Times. Zbulimet tronditëse në faqen e parë tronditën qytetin. Kryetari i Bashkisë, John Lindsay, caktoi një komision të pavarur të drejtuar nga avokati i Uoll-Stritit [Wall Street], Whitman Knapp. Por, Serpico ende ishte në detyrë aktive.
Al Pacino luajti Frank Serpicon në biopikun e vitit 1973 të Sidney Lumetit(Alamy)
Në shkurt të vitit 1971, tashmë pjesë e sektorit të narkotikëve, ai shkoi në një ndërtesë apartamentesh në Bruklin me tre oficerë të tjerë pas një sinjalizimi për një marrëveshje droge. Serpico trokiti në derën e të dyshuarit dhe u fut brenda kur ajo u hap, por u qëllua në fytyrë. Një zyrtar i lartë i policisë i tha revistës New York Magazine se kur erdhi lajmi, "u tmerruam nga mundësia që këtë ta kishte bërë një polic".
Sipas New York Magazine-it, Serpico u “la për të vdekur nga kolegët e tij policë”, dhe ishte një banor i ndërtesës ai që thirri shërbimet e urgjencës. Ai u dërgua në spital me një makinë policie. Në një artikull të Politico-s të vitit 2014, ai shkroi: “Njëri nga policët që më çoi atë natë tha [më vonë], ‘po ta dija që ishte ai, do ta kisha lënë aty të rridhte gjak derisa të vdiste’”.
Një vit më vonë, David Taylor nga programi 24 Hours i BBC-së raportoi nga qyteti ku statistikat e krimit ishin “si të një lufte në zhvillim”. Ai zbuloi se Nju-Jorku jo vetëm që ishte qyteti më i pasur në botë, por edhe një nga më të ndyrët. “Vitit e kaluar ishin 1 600 vrasje në qytet. Më shumë amerikanë u vranë këtu sesa në Vietnam. Një krim i dhunshëm ndodh çdo 15 minuta, një grabitje çdo minutë dhe një vjedhje çdo 30 sekonda”.
“Por, ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është dijenia e përgjithshme se policët marrin ryshfet”, tha Taylori. Hetimi publik zbuloi se korrupsioni ishte “i përhapur, megjithëse jo i njëjtë në shkallë”. Ai i quajti shumicën e policëve të korruptuar si “barngrënës”. Këta ishin policë që pranonin pagesa të vogla dhe dhurata nga “kontraktues, operatorë të merimangave, lojtarë kumari dhe të ngjashëm”. “Mishngrënësit”, një përqindje e vogël e NYPD-së, shfrytëzonin në mënyrë agresive situatat për pagesa të mëdha. Këto përfshinin “kumarin, narkotikët dhe krimet e tjera të rënda që mund të sillnin mijëra dollarë”.
- YouTube youtu.be
Dëshmitari kryesor në seancat e transmetuara në televizion ishte William Phillips, një polic me rroba civile që kishte marrë ryshfet për 14 vjet. Një detektiv i vrasjeve që e pa atë duke dëshmuar në TV i tha prokurorëve se ai i ngjante një skice të një të dyshuari për një vrasje të pazgjidhur nga viti 1968. Phillipsi përfundoi i dënuar për vrasjen e dy personave dhe shkoi në burg për 32 vjet. Vdiq në vitin 2023, në moshën 92-vjeçare. Në nekrologjinë e tij, New York Times shtroi pyetjen: “A kreu vrasje, apo u kurdis si hakmarrje për thyerjen e murit të kaltër të heshtjes”?
Serpico, pjesërisht i shurdhuar në njërin vesh nga të shtënat, dëshmoi vetë në hetim, duke thënë: “Shpresoj që zyrtarët policorë të mos e përjetojnë në të ardhmen të njëjtin zhgënjim dhe ankth që më është shkaktuar mua në pesë vjetët e fundit, nga eprorët e mi, për shkak të përpjekjes për të raportuar korrupsionin. Më bënë të ndihesha sikur i kisha ngarkuar me një detyrë të padëshiruar”. Ai i bëri thirrje hierarkisë policore të krijojë “një atmosferë në të cilën polici i pandershëm ka frikë nga ai i ndershmi dhe jo e kundërta”.
Durku i tha komisionit: “Korrupsioni nuk ka të bëjë fare me paratë, sepse nuk ka sasi parash që mund t’i japësh një polici për të rrezikuar jetën 365 ditë në vit. Të jesh polic është një vokacion, ose nuk është asgjë fare - dhe kjo është ajo që u shkatërrua nga korrupsioni në Departamentin e Policisë së Qytetit të Nju-Jorkut; u shkatërrua për mua dhe për mijëra të tjerë si unë”.
Raporti i BBC-së i vitit 1972, mbi gjendjen e policisë së Nju-Jorkut, gjeti një forcë të demoralizuar. Kapiteni Edward Rogers, komandant i Njësisë së Nëntë, tha për 24 Hours: “Momentalisht, morali është në një pikë shumë të ulët në departament për shkak të Komisionit Knapp, kur 95 përqind e burrave të ndershëm tani po quhen të korruptuar, ndërkohë që Komisioni Knapp në rastin më të mirë zbuloi ndoshta se pesë përqindëshi i departamentit është i korruptuar. 95 përqind të tjerët po bartin barrën e etiketës së korrupsionit”. Ai shtoi: “Diçka e kësaj natyre na ka kthyer shumë vite prapa në marrëdhëniet me publikun, padrejtësisht”.
Durku i tha BBC-së se arritja më e madhe e komisionit ishte që “shkërmoqi teorinë e mollës së kalbur” që ishte përgjigja e mëparshme ndaj çdo akuze për korrupsion policor. “Administrata gjithmonë thoshte, ‘Çfarë? Tronditëse, e tmerrshme, na trego fajtorin dhe do ta varim’. Dhe, zakonisht bënin një shfaqje dramatike duke varur një ose dy vetë ... zakonisht njerëz në nivele shumë të ulëta. Mendoj se ajo që bëri Komisioni Knapp ishte të tregonte shkallën dhe seriozitetin e asaj që në të vërtetë nënkupton korrupsioni”.
Kur erdhi puna për të bërë filmin mbi luftën kundër korrupsionit, roli i Durkut në ngjarje u paraqit nga Bob Blair, një personazh i trilluar i luajtur nga Tony Roberts. Pas seancave të komisionit, Durku u promovua në toger dhe qëndroi në polici për më shumë se një dekadë.
Serpico, i zhgënjyer, dha dorëheqje nga forca në vitin 1972 dhe për një kohë u zhvendos në Zvicër. Filmi biografik, i drejtuar nga Sidney Lumet, doli në ShBA një vit më vonë. Motoja në poster ishte kjo: “Shumë nga kolegët e tij e konsideronin njeriun më të rrezikshëm të gjallë - një polic i ndershëm”. Tridhjetë vjet më pas, në vitin 2003, Instituti Amerikan i Filmit e renditi Frank Serpicon në vendin e 40-të në listën e heronjve më të mëdhenj në historinë e kinemasë amerikane. /Telegrafi/














































