“Polici i Lagjes” në Ferizaj – ura që po forcon besimin mes qytetarëve dhe policisë

Policia e Kosovës po zbaton në gjithë vendin nismën për “Policin e Lagjes” — një model që synon të forcojë bashkëpunimin mes policisë dhe qytetarëve, duke krijuar më shumë besim, komunikim dhe siguri në komunitet.
Në Ferizaj, ky koncept po merr formë përmes pranisë së vazhdueshme të policëve në lagje, të cilët tashmë njihen nga banorët si pika e parë e kontaktit për çdo shqetësim.
Komandanti i Stacionit të Policisë në Ferizaj, Ismet Dervishi, tha për Telegrafin se i gjithë komunikimi është zinxhiror, duke filluar nga policia, hetuesit, administratorët e lagjeve e deri te drejtoritë e arsimit.
“Mbulimi i terrenit bëhet edhe nga njësitë patrulluese, të cilat shpërndahen në bazë të detyrave ditore që i kanë, ku secila patrullë e viziton dhe e patrullon sektorin përkatës.
Sa i përket bashkëpunimit me qytetarët, njësitë sektoriale zhvillojnë takime të vazhdueshme me partnerë të ndryshëm të sigurisë, me administratorë të fshatrave, me drejtorë të shkollave, me biznese dhe qytetarë të ndryshëm.
Theks të veçantë kemi bashkëpunimin me drejtoritë komunale të arsimit dhe ato të shërbimeve publike, me të cilat kemi bashkëpunim shumë të ngushtë”, tha Dervishi.
Ndërkaq, Polici i Lagjes, Raif Vladi, shpjegoi mënyrën se si zhvillohet një ditë pune dhe si reagojnë ndaj kërkesave të qytetarëve.
“Unë kam pasur një telefonatë nga administratori i fshatit Prelez, i cili ka një shqetësim. Tash do të shkojmë, do të bisedojmë me të dhe do të shohim se çka është problemi”, deklaroi fillimisht Vladi.
Ai shtoi se falë bashkëpunimit me qytetarët, raportimi i rasteve është bërë shumë më i lehtë.
“Falë bashkëpunimit me qytetarët që e kemi, prej se është bërë njësia sektoriale që është ndarë në pjesë të ndryshme, shumicën e rasteve vetë qytetarët i raportojnë tek njësia jonë, duke na thirrur personalisht për incidentin ose rastin që ka ndodhur në zonën përkatëse.
Unë besoj se kjo është shumë më e lehtë për qytetarët, pasi ata e dinë kujt t’i drejtohen, pa marrë parasysh nëse kanë rast penal apo vetëm kërkojnë këshillim ose sugjerim”, shtoi ai.
Drejtori i shkollës së mesme të ulët “Liman Rekaj” dhe administratori i lagjes Surqinë, Lulzim Idrizi, tha se prania e policëve të lagjes u ka lehtësuar ndjeshëm komunikimin dhe raportimin e rasteve.
“Me Policinë e Kosovës kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë.
Roli i ‘Policit të Lagjes’ është shumë i rëndësishëm, sepse qasja është më e shpejtë me policinë. Përveç numrit 192, ke edhe një alternativë tjetër — numrin kontaktues të policëve të lagjes, që të mundëson komunikim të drejtpërdrejtë me ta. Ai është polic që e njeh komunitetin, lagjen dhe destinacionin,” deklaroi Idrizi.
Polici i lagjes nuk është vetëm një figurë e uniformuar në terren, por një urë lidhëse mes institucioneve të rendit dhe komunitetit, që synon të rrisë sigurinë dhe besimin mes qytetarëve.
Për çdo problematikë ose arritje tuajën, ju, shikues dhe lexues, mund të na shkruani në lokale@telegrafi.com. /Telegrafi/



















































