Podujevë, në Galerinë e Arteve u shfaq drama “Këmisha e lirisë”
Në ambientet e Galerisë së Arteve në Podujevë u shfaq drama “Këmisha e lirisë”, e cila e trajton temën e dhunës në familje.
Me interpretim të aktoreve Safete Rugova, Kumrie Hoxha dhe Igballe Qena, kjo dramë e shkruar nga Arian Krasniqi, ka për qëllim të ngrit vetëdijen qytetare kundër dhunës në familje dhe rolin e shoqërisë përballë kësaj dukurie.
Ngjarja zhvillohet ndërmjet tri grave që kanë kundvështrime të ndryshme për temën: nëna, vjehrra dhe fqinja.
Shfaqja thekson rëndësinë e përkrahjes dhe jo gjykimit, hapjes ndaj dialogut për shëndetin mendor dhe përdorimit të mekanizmave institucionalë për trajtimin e viktimave të dhunës.
Shfaqjen e ndoqën edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Humolli-Jashanica, Drejtoresha për Pronë, Kadastër dhe Gejodezi, Saranda Stublla, Drejtoresha e Teatrit “Avdush Hasani”, Elhame Kutllovci, Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale, Makfire Zeka, zyrtare tjera komunale e qytetarë.
Shfaqja e kësaj drame është organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe fillimisht ishte pjesë e një turneu në pesë komuna. /Telegrafi/
































