LAJMI I FUNDIT:

Plagosen me armë dy persona në Durrës, mosmarrëveshja nisi në TikTok

Plagosen me armë dy persona në Durrës, mosmarrëveshja nisi në TikTok
Foto: Ilustrim

Dy persona mbetën të plagosur sot rreth orës 01:15 në Durrës, nga një mosmarrëveshje e cila nisi në rrjetin social TikTok.  

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shtetit, ku ndër të tjera thuhet se personi 25-vjeçar me inicialet K. M, pas një bisede telefonike me një person tjetër M.V ka debatuar dhe më pas kanë lë takim për tu sqaruar.


Tutje bëhet e ditur se i dyshuari K.M me të arritur në vendngjarje ka gjuajtur me plumba duke lënë të plagosur dy persona të tjerë.

“Në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01:15 minuta, në lagjen nr. 10, dyshohet se për shkak të një konflikti në rrjetin social TikTok, shtetasi K. M., 25 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri, dhe si pasojë, janë dëmtuar lehtë shtetasit J. V., 21 vjeç, dhe A. H., 21 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 12, Durrës.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se autori i dyshuar, shtetasi K. M., rreth orës 22.30, të mbrëmjes së djeshme ka debatuar në telefon me shtetasin M. V, (kushëri i shtetasit J. V.) dhe  i ka lënë takim për t’u sqaruar në afërsi të banesës së shtetasit M. V. Shtetasi M. V., pasi ka marrë kushëririn e tij  J. V., A. H., shok i përbashkët i tyre, ka shkuar në vendin ku e kishin lënë për tu sqaruar me shtetasin K. M. Ky i fundit sapo ka parë që këta shtetas janë afruar, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së shtetasit M. V., dhe është larguar menjëherë. Si pasojë, (dyshohet nga plumb rikoshet) janë lënduar lehtë shtetasi J. V., i cili pas ndihmës mjekësore ka dalë nga spitali, dhe A. H., që aktualisht po merr ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, grupi hetimor në bashkëpunim me prokurorinë po vijon punën  për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë në njoftim thuhet se “Nga shërbimet e Policisë janë ngritur pika kontrolli, në akset rrugore, janë njoftuar pikat e kalimit kufitar, dhe po ushtrohen kontrolle në banesa e ambiente, ku dyshohet se mund të fshihet 25-vjeçari me qëllim kapjen e tij”. /Telegrafi/