Pishina e Gërmisë hapet më 8 korrik, vonesa "për shkak të thatësisë"
Kompania që menaxhon Pishinën e Gërmisë në Prishtinë, Sport Marketing, ka njoftuar se hapja e pishinës do të shtyhet për shkak të mungesës së mjaftueshme të ujit në burimet natyrore të zonës.
Në një njoftim zyrtar thuhet se vonesa është shkaktuar nga thatësia e madhe që ka prekur rajonin, duke ndikuar drejtpërdrejt në furnizimin me ujë të pishinës.
“Të nderuar qytetarë, ju informojmë se për shkak të mungesës së theksuar të ujit në burimet e Gërmisë, si pasojë e thatësisë së madhe, është shkaktuar një vonesë në hapjen e Pishinës së Gërmisë. Bazuar në planifikimin kohor dhe sasinë aktuale të ujit, ju njoftojmë se Pishina do të hapet për qytetarët më datën 08 korrik 2025”, thuhet në njoftim.
Kompania ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin, duke theksuar se kjo masë është e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe funksionalitetin e plotë të objektit gjatë sezonit veror.






























