Piratët në Vlorë më 1579

Jean Carlier de Pinon ishte fisnik francez që jetoi në Paris dhe në Kambré. Ai është autori i veprës Mon voyaige en Levant, faict l’an 1579 [Udhëtimi im në Levant, në vitin 1579]. Në këtë vepër, ai jep një përshkrim të udhëtimit të tij në Tokën e Shenjtë, së bashku me shokun e tij gjerman, Hans Jacob Breuning, nga shkurti i vitit 1579 deri në mars të vitit 1580. Duke lundruar nga Venecia drejt Kostandinopojës dhe Aleksandrisë, ata ndaluan në portin osman të Vlorës të cilin ai e përshkroi në këtë fragment.
Nga: Jean Carlier de Pinon
Përktheu në anglisht (nga frëngjishtja): Robert Elsie[1]
Përktheu në shqip (nga anglishtja): Agron Shala
Më 11 maj [1579], u nisëm me një erë të favorshme, duke parë vetëm det dhe qiell, derisa, në mbrëmje, në anën e majtë, filluam të dallonim malet e Shqipërisë, të njohura dikur me emrin Epir.
Më 12 maj, pasi kishim përparuar disi, pamë malin përballë Vlorës dhe malin e Chimera-s [Himarës], që ndodhet përtej Vlorës.
Më 13 maj, pasi ishim afruar katër milje pranë tokës së Shqipërisë, aty ku ndodhet Vlora, me një erë të lehtë që frynte pas nesh, hodhëm spirancën pas dreke. Aty, një turk [mysliman], vendas i asaj ane, zbriti në një fregatë apo barkë të vogël, dhe me të ishin disa grekë [ortodoksë] që përpiqeshin të shkonin në Vlorë, e cila nuk ishte më shumë se dy apo tre milje larg në rrugë tokësore. Ata po shkonin në Vlorë për të marrë disa barka për të shkarkuar mallrat që dëshironin të linin në Vlorë. Në krye të tyre ishte qatipi i anijes dhe pronari me katër këmbësorë ose detarë. Por, kur fregata ishte jo më shumë se dy milje larg anijes, një fustë u shfaq papritur përpara saj, e cila kishte qenë e fshehur prapa disa shkëmbinjve. Qëlluam disa herë me top ndaj saj, por nuk arritëm ta godisnim. Nuk u larguam nga vendi gjithë ditën, aty ku pronari kishte vendosur të hidhte spirancën, dhe pritëm kthimin e fregatës sonë, por kur ajo nuk u kthye deri në fund të ditës, dyshuam se i kishte ndodhur diçka.
Më 14 maj, për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me fregatën, pasi ngritëm spirancën hymë në portin e Vlorës. Në hyrje të portit të sipërpërmendur, nga Veriperëndimi ndodhet një mal apo shkëmb në formë ishulli i quajtur Saseno [Sazani]. Pasi ulëm velat, qëlluam disa herë me top, gjë që është gjë e zakonshme për hyrjen në porte. Në atë moment, doli Emini ose kreu i doganës, i shoqëruar nga disa myslimanë dhe hebrenj të tjerë, me të cilët biseduam mbi një qilim të shtruar për ta, sipas zakoneve të tyre.
Na njoftuan për atë që kishte ndodhur me ata që kishin zbritur në tokë një ditë më parë. Ata kishin vënë re fustën që i ndiqte dhe fshehën shpejt fregatën midis disa shkurresh për ta shpëtuar. Të trembur kur kuptuan se me siguri do të kapeshin në tokë gjatë rrugës për në Vlorë, burrat e braktisën këtë rrugë dhe morën shtegun malor majtas, duke qenë më shumë se njëzet milje përpara hajdutëve. Në një vend të caktuar kishte një përrua të vogël dhe, ndërkohë që ndodheshin aty, të lodhur siç ishin, trazuan ujin në mënyrë që, kur hajdutët të mbërrinin, të mendonin se e kishin kaluar përroin e sipërpërmendur dhe të ndiqnin gjurmët mbi të.
Meqë ishin shumë të lodhur, morën ndihmën e një bariu që t’i shoqëronte në një vend të sigurt, u kthyen pas nëpër rrugë dhe u ngjitën në mal nga ana e djathtë ku ishte një fshat. Kur mbërritën aty, gjetën strehim në shtëpinë e një myslimani vendas, sepse zakoni në Turqi është që nuk lejohet të nxirret dikush me forcë nga shtëpia e një myslimani.
Piratët, kur dëgjuan se bariu i kishte çuar atje, mbërritën në fshatin e sipërpërmendur. Atje, me premtime ose me mjete të tjera, morën nën kontroll vendin dhe burrat tanë u detyruan të dilnin nga shtëpia e myslimanit dhe nga fshati, dhe, meqenëse tashmë ishin në duart e piratëve, u dërguan më tej. Piratët bënë një këshillim mes vete, duke marrë në konsideratë rreziqet që do të përballnin nëse do t’i shisnin të burgosurit, sepse kishin mësuar se udhëheqësi i tyre ishte kapur në Vlorë, me kërkesë të Këshillit të Venedikut, që në momentin që ishte dëgjuar çfarë kishte ndodhur me qatipin e anijes sonë dhe të tjerët.
Ata gjithashtu kishin frikë se do të ndiqeshin nga njerëz me kuaj dhe kështu i lanë të lirë të burgosurit për shumën prej 60 cekinësh. Të burgosurit arritën të paguanin vetëm 20, por një maur që ndodhej aty pagoi 40 të tjerat dhe u premtua nga të burgosurit se do t’ia kthenin në Vlorë. Për këtë arsye, ai liroi disa prej të burgosurve që të shkonin të merrnin shumën e përmendur, por, pa pritur kthimin e tyre, ai mbërriti në Vlorë pak më vonë me pjesën tjetër të tyre.
Më 15 maj, zbritëm në tokë në Vlorë, ndonëse ende kishte njëfarë rreziku për ne për shkak të veshjeve tona që nuk ishin sipas stilit venedikas. Mund të na merrnin lehtësisht për nënshtetas të Mbretit të Spanjës, pasi armëpushimi midis Mbretit të Spanjës dhe Sulltanit ende nuk kishte hyrë në fuqi, ndaj mund të na kishin kapur dhe skllavëruar, ose të na kishin dënuar me vdekje si spiunë të dyshuar. Të gjithë perëndimorët përballen me rreziqe të tilla në ishuj dhe vende të largëta. Por, nuk ka rrezik në qytete të mëdha ku ka ambasadorë dhe konsuj të mbretërive dhe republikave të krishtera.
Atë ditë, ishim dëshmitarë të drejtësisë që iu bë atyre që kishin qenë përgjegjës për rrëmbimin e njerëzve tanë. Njerëzit e drejtësisë ndodheshin në verandën ose hollin e bashkisë së qytetit. Poshtë tyre, në oborr, ndodheshin të akuzuarit dhe turma. Kryetari ose paria e fshatit ku ishin kapur njerëzit tanë, ishte shtrirë në shpinë me këmbët përpjetë, dhe këmbët i mbaheshin me nga një burrë në secilën anë. Përballë tij ishte ekzekutuesi, i cili me goditje shkopi rrihte në shputat e këmbëve të zbathura, qindra herë, dhe për çdo goditje i akuzuari i paguante gjykatës, sipas zakonit, një asper, gjashtëdhjetë prej të cilëve përbëjnë një dukat ose cekin dhe pesëdhjetë përbëjnë një eku. Maurit që kishte tentuar të përfitonte nga shpërblimi i të burgosurve iu dhanë goditjet me shkop në bark, ndërsa njerëzit tanë u liruan dhe kishin për të paguar vetëm 40 dukatë ose cekinë.
Për qytetin dhe kështjellën e Vlorës
Ashtu si shumica e qyteteve të Turqisë, Vlora nuk ka hendeqe apo mure. Ajo është gjashtëqind milje larg nga Venecia. Ndodhet në Shqipëri dhe i nënshtrohet Turqisë, e cila mban një sanxhak këtu. Vendndodhja është shumë e këndshme. Ka shumë selvi dhe toka është pjellore. Është ndërtuar pranë një lumi që është më i gjerë sesa i thellë dhe derdhet në det përballë qytetit.
Ka rreth pesë xhami, siç quhen kishat myslimane, të zbukuruara me kulla të larta të bardha ose kulla sahati. Qyteti është i banuar me turq [myslimanë], hebrenj dhe grekë [ortodoksë]. Gruri, vera dhe mishi janë të lira këtu. Në Jug, në një largësi sa arrin një shigjetë, ndodhet një kështjellë që mbikëqyr portin. Është mjaft e madhe dhe e ndërtuar në formë rrethore. Gjysma e saj preket me kodrat dhe gjysma tjetër përballet me detin. Brenda kështjellës ndodhet një bastion i rrumbullakët që është shumë i fortë. Njeriu që komandon quhet agë ose kështjellar.
Mbi këtë kështjellë, pak më larg mbi mal, ndodhet një kështjellë tjetër e ngjashme. Në këtë rajon ka shumë piratë dhe kusarë, dhe çdo ditë sjellin shumë plaçkë të marrë nga të krishterët që nuk janë aleatë të Sulltanit. Disa vite më parë, Sulltani dërgoi këtu Karakosën [Caracossa] me disa galera. Ai u vra në vitin 1571 në një betejë të zhvilluar midis ushtrisë së Sulltan Osman Selimit dhe asaj të të krishterëve. Në atë kohë nuk kishte galera në port, por vetëm fusta.
Më 16 maj, pasi shkarkuam ato që detarët tanë dëshironin të linin këtu dhe pasi siguruam furnizime me mish dhe ujë të freskët, pronari i anijes i dërgoi Eminit një dhuratë që përbëhej nga katër shporta të mbushura me gota dhe kupa Murano nga Venecia, dhe në secilën shportë kishte brumëra të ëmbla dhe pak reçel. Gjithashtu kishte sapun, dy chaires të vogla [lesh kaprolli për pastrim?] dhe disa espoussettes [beze për fshirje pluhuri?]. Dhurata nuk i pëlqeu Eminit sepse nuk iu dha në momentin e mbërritjes sonë. Atë ditë, pamë tre fusta turke që hynë në port duke tërhequr një marsilianë, domethënë një lloj anijeje apo varkë të kapur nga të krishterët.
Më 17 maj, pasi kishim humbur fregatën tonë, u nisëm për lundrim. Si pasojë, marangozit të anijes iu desh të ndërtonte një tjetër gjatë udhëtimit, mbi kuvertë. Pasi lamë portin dhe kishim malet e Himarës në të majtë, pamë disa ishuj në të djathtë, midis të cilëve i pari ishte Fano që është i pabanuar. /Telegrafi/
___________

















































