LAJMI I FUNDIT:

Piktori i luftës

Piktori i luftës
Pablo Picasso (

Disa vepra arti janë aq të famshme e aq tërheqëse, sa që është e vështirë që veprat tjera të kenë vëmendjen e duhur – edhe nëse janë bërë nga i njëjti artist. Meditimi enigmatik i Grant Woodit për vlerat rurale, “Gotika amerikane” (1930), është pikturë e tillë. Kimia e çuditshme e fshatarëve me buzë të mbyllura që dominon sipërfaqen e veprës, lë në hije pikturat tjera të së njëjtës dorë (sa shumë vepra të tjera të Woodit mund t’i kujtoni?). “Guernica” (1937) nga Pablo Picasso ka pasur efekt të ngjashëm eklipsues, shkruan kritikja e artit Kelly Grovier, transmeton Telegrafi.

“Gernika” (1937), pikturë e bërë nga Pablo Picasso

Teksa shumë prej nesh mund të kujtojnë gjymtyrët e prera, shprehjet e vuajtjes dhe kokën e kalit në reflektimin prekës të bërë nga Picasso, për bombardimet shkatërrimtare të prillit 1937 të qytezës baske të Gernikës (gjatë Luftës Civile në Spanjë), nuk është e lehtë të përmendësh një vepër tjetër të vetme të tij që ka të bëjë me luftën. Megjithatë, një ekspozitë e rëndësishme u hap në Muzeun e Armatës në Paris, që tregon se lufta ishte preokupim përcaktues i artistit, jeta e gjatë e të cilit u shtri që nga Lufta e Pavarësisë së Kubës (që shpërtheu në 1895, kur ishte ai14 vjeç) e deri te Lufta e Vietnamit që përfundoi dy vjet pas vdekjes së artistit më 1973.

“Masakra e Koresë” (1951), pikturë e bërë nga Pablo Picasso

Asnjë pikturë e Picassos nuk ka vuajtur më shumë nga fuqia e “Gernikës”, sesa reagimi ndaj akuzave për mizoritë e kryera në vitin 1951, me ndihmë nga trupat amerikane, në atë që u bë më vonë u quajt Masakra e Sinçonit. Vepra e Picassos ku shfaq një grup të grave dhe të fëmijëve që do të vriten nga afër nga një bandë e pafytyrë e rrugaçëve robotikë, pos nuancave gri është gjithçka tjetër që “Gernika” nuk është. Aty ku vepra më e hershme dhe më e famshme është thyerje e simboleve dhe shenjave, literalizimi i tregimit vizual transformon “Masakrën e Koresë” (1951) në një karikaturë të tmerrshme: në strip!


“Ata duken”, thotë kuratorja e ekspozitës, Isabelle Limousin, “sikur të ishin veshur me mburoja nga kohët e largëta ose nga e ardhmja – diçka si nga një roman i fantashkencës apo nga filmat”.

Historia për pikturën që luftoi fashizmin dhe ekspozita ku arti u shndërrua në mjet politik
Lexo po ashtu Historia për pikturën që luftoi fashizmin dhe ekspozita ku arti u shndërrua në mjet politik

Në anën e majtë të pikturës, një grup i tri grave të pashpresa (dy prej të cilave duken shtatzënë) dhe pesë fëmijëve (në gjendje të ndryshme të ankthit dhe panikut) presin ekzekutimin e menjëhershëm nga një skuadër që vjen nga e djathta. Picasso është i prirë të barazojë atë tmerr me barbarizmat të cilat i kemi hasur në pikturën e famshme të bërë nga Francisco de Goya, “I treti i majit 1808” (1814), me koreografinë e njëjtë të ushtarëve të ligë që u afrohen civilëve të pambrojtur. Një gjenealogji artistike nga piktura e Goyas haset edhe tek portretizimi i famshëm i bërë nga Edouard Manet, për vrasjen e Perandorit të Meksikës në qershor 1867, “Ekzekutimit i perandorit Maksimilian” (1868-1869), që është organizuar në mënyrë të ngjashme si vepra e Picassos.

“I treti i majit 1808” (1814), pikturë e bërë nga Francisco de Goya

Dialogu i Picassos me të kaluarën, te “Masakra e Koresë” shtrihet përtej aluzioneve që ua bën veprave të Goyas dhe Manetit. Viktimat e Pikassos janë grumbulluar paraprakisht në një trekëndësh që ndërlidhet me sigurinë hyjnore të shumë portreteve të nënës me fëmijën, të bëra gjatë Mesjetës dhe Rilindjes, që nga “Madona në livadh” nga Raphael e deri te “Virgjëresha e shkëmbinjve” nga Leonardo da Vinci. Por, këtu, ky trekëndësh mbrojtës ka nis të thyhet nga një forcë mekanike që godet nga e djathta.

“Ekzekutimit i perandorit Maksimilian” (1868-1869), pikturë e bërë nga Edouard Manet

Ushtarët anonimë përparojnë në unison dhe çnjerëzimi i tyre theksohet nga shpata, lart në anën e djathtë – një simbol që Picasso e ka përdorur në aspekt tjetër te “Gernika”. Në pikturën e mëparshme të artistit, shpata dhe krahu janë shkëputur dhe janë në pjesën e poshtme të pikturës. Përdorimi i tillë për “Masakrën e Koresë” është shprehje e agresionit perandorak që sugjeron pesimizëm ndaj politikës globale dhe ngritjen e totalitarizmit të pandëshkuar. Krahu është gati për gjymtuar të pafajshmit: një arketip i përjetshëm i tiranisë së pamëshirshme!

Trembëdhjetë fakte për artin e madh: Mendimtari dhe supa Campbell
Lexo po ashtu Trembëdhjetë fakte për artin e madh: Mendimtari dhe supa Campbell

“Vepra nuk u prit mirë”, thotë Limousin, duke komentuar edhe reagimet e kritikëve më 1951. “Piktura u cilësua si shumë e lehtë, shumë e lexueshme për bashkëkohësit e artist, sepse u perceptua si ndarje e organizuar thjesht mes ‘të mirëve dhe të këqijve’”.

“Madona në livadh” (1505-1506), pikturë e bërë nga Raphaeli

Ndoshta, në mendjen e Picassos, poezia e “Gernikës” e krijuar 14 vjet më parë, nuk kishte ndikim të mjaftueshëm për paqe te zemrat dhe mendjet e liderëve botërorë. Ndaj, ishte koha për një kokëfortësi brutale. Megjithatë, ndonëse u kritikua nga shumë njerëz dikur, Limousin beson se, në retrospektivë, meriton të rivlerësohet nga publiku si “vepër e fuqishme”.

Nga obsesioni me konfliktet e kohës, Picasso kurrë nuk u regjistrua në asnjë ushtri. Si banor i Parisit gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, nuk kishte asnjë detyrim ligjor, si shtetas spanjoll, për t’iu bashkuar luftës kundër Gjermanisë. Në vend që të mbushte armën në vijën e frontit, zgjodhi t’i mbushte pikturat me energji kundër luftës – një impuls evident te disa nga veprat e tij më të hershme, që nga viti 1912, që u referohen trazirave në Ballkan.

“Virgjëresha e shkëmbinjve” (1483-1486), pikturë e bërë nga Leonardo da Vinci

“Marrëdhënia mes Picassos dhe luftës”, shprehet Limousin, “është e rëndësishme në artin e tij, që në fillim”.

Sa si kjo marrëdhënie shfaqet, nuk është gjithmonë e qartë. Ndaj, për të kontekstualizuar pikturat dhe vizatimet që në shikim të parë nuk duken se janë frymëzuar nga lufta, organizatorët e ekspozitës kanë analizuar materialin biografik dhe historik që hedh dritë të re te veprat e tij.

Kolazhet e para kubistë të Picassos, përfshirë “Shishja dhe gazeta” (1912), që merret me tensionet dhe luftërat në Ballkan

“Një gjë që është shumë e rëndësishme për këtë ekspozitë”, shpjegon Limousin, “është fakti se po ekspozojmë 330 vepra, mbi një e treta e të cilave janë të Picassos, një e treta nga arkivat personale të artistit dhe një e treta objekte që lidhen me temën ushtarake të muzeut”.

Radioja që ka përdorur Picasso

Duke prezantuar vizionin artistik të Picassos, ekspozita na kujton se gjithë arti krijohet nga individët të cilët jetojnë jetët e tyre – në shumë aspekte si ti dhe unë – duke lexuar dhe diskutuar idetë, e duke dëgjuar radion me gëzim e zemërim. Radioja “Super Groom” e vitit 1939, tek e cila Picasso mund të ketë dëgjuar interpretimet e miqve të tij muzikantë, apo lajmet për krimet e luftës, do të jetë po ashtu në ekspozitë. Pajisja duket si makinë kërcënuese në karikaturën e quajtur “Lufta” (1951), që Picasso e krijoi të njëjtin vit kur bëri “Masakrën e Koresë”: një konstruksion që duket si një kryqëzim surreal mes një tosteri, një radioje dhe një mjeti të blinduar që nxjerr zjarr dhe krijon errësirë.

“Lufta” (1951), karikaturë e thjeshtë dhe infantile, e bërë nga Pablo Picasso

Me aq art të mirë në ekspozitë (rreth 140 vepra të Picassos) është e lehtë të harrohet se vendi që mirëpret këtë shfaqje, Muzeu i Ushtrisë, i përkushtohet një gjëje tjetër: armëve!

“Kjo është histori, aq sa një ekspozitë arti”, shprehet Limousin, duke theksuar se ekspozita nuk mëton të shënojë hapin e madh në jetën dhe karrierën e Picassos por, më shumë se kjo, 80-vjetorin e përfundimit të Luftës Civile në Spanjë. /Telegrafi/