Pezullohen gjashtë volejbollistë pas incidentit në ndeshje Ferizaj - Peja
Federata e Volejbollit të Kosovës po trajton incidentin në ndeshjen e Kupës FVK-së, Peja - Ferizaj.
Pas nisjes së procedurave për trajtimin e kësaj çështjeje, Komisioni i Garave pranë FVK ka vendosur t'i suspendojë gjashtë volejbollistë të përfshirë në incident.
Njoftimi i plotë nga FVK: Komunikatë për Media Federata e Volejbollit të Kosovës po trajton incidentin në ndeshjen e Kupës FVK-së, Peja - Ferizaj. Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) shpreh shqetësim për incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes së Kupës së FVK-së mes ekipeve Peja dhe Ferizaj. FVK ka nisur menjëherë procedurat për trajtimin e kësaj çështjeje dhe po bashkëpunon ngushtë me organet kompetente për një zgjidhje të drejtë dhe transparente. Në përputhje me rregulloret, Komesari i Garave ka vendosur që gjashtë lojtarët e përfshirë në incident: • Arlind Kabashi, • Leotrim Mujaj, • Agron Nikqi, • Dardan Husaj, • Kaltrim Berisha, dhe • Gazmend Husaj, të suspendohen nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FVK, përfshirë ato ndërkombëtare në bashkëpunim me federatat partnere. Ky pezullim mbetet në fuqi deri në vendimin e Komisionit Disiplinor. Komisioni Disiplinor pret deponimin e deklaratave nga të gjithë lojtarët e përfshirë, si pjesë e procesit hetimor që do të çojë në nxjerrjen e vendimit përfundimtar. FVK riafirmon përkushtimin e saj për të ruajtur integritetin e sportit dhe dënon ashpër çdo sjellje që cenon vlerat e lojës dhe të komunitetit sportiv. Për çdo zhvillim të mëtejshëm, opinioni publik do të njoftohet në kohën e duhur.






























