Përshkrimi i Shqipërisë nga viti 1308

I ashtuquajturi Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrimi anonim i Evropës Lindore)[1] është një tekst mesjetar në gjuhën latine nga viti 1308, i cili përmban një përshkrim të tokave të Evropës Lindore, veçanërisht të vendeve të Ballkanit. Autori anonim mendohet të ketë qenë një klerik francez ose i arsimuar në Francë, me shumë gjasë i rendit dominikan, i dërguar nga kisha në Serbi, ku edhe ka marrë shumicën e të dhënave për Ballkanin. Dorëshkrimi u botua në Krakov në vitin 1916 nga Olgierd Górka. Përveç pjesëve që përshkruajnë rajonet e ndryshme të Greqisë bizantine, Rashës, Bullgarisë, Rutenisë, Hungarisë, Polonisë dhe Bohemisë, ai përmban edhe një pjesë mbi Shqipërinë, një nga përshkrimet e rralla të vendit në vitet e para të shekullit të katërmbëdhjetë. Ne e dimë se dominikanët ishin aktivë në Durrës që nga viti 1304, kur qyteti ra në duart e Perëndimit pas njëzet vjetëve të sundim bizantin. Në një letër të datës 31 mars 1304, Papa Benedikti XI i kishte kërkuar kreut të Rendit Dominikan në Hungari të dërgonte në Shqipëri disa nga vartësit e tij, me “moral të mirë, të zellshëm dhe elokuent”, për veprimtari misionare. Me mbështetjen e Selisë së Shenjtë, dominikanët kështu kishin fuqi të plotë për të ngritur një hierarki latine sipas dëshirës së tyre, në bregdetin shqiptar, për të zëvendësuar kishën ortodokse e cila ishte detyruar të braktiste pozitat e veta.
Përgatiti: Robert Elsie[2] Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Tani do të flasim për Shqipërinë e cila, nga ana e saj jugore, ndodhet pranë Greqisë dhe shtrihet ndërmjet Rashës dhe tokës së Despotit.[3] Shqipëria është një krahinë mjaft e gjerë dhe e madhe. Ajo vërtet ka banorë luftarakë, sepse ata janë harkëtarë dhe heshtarë të shkëlqyer. E gjithë kjo krahinë ujitet nga katër lumenj të mëdhenj: Ersenta (Erzeni), Mathia (Mati), Scumpino (Shkumbini) dhe Epasa (Osumi). Toka është e begatë për mish, djathë dhe qumësht; nuk është shumë e pasur me bukë dhe verë, megjithëse fisnikët, në veçanti, kanë mjaftueshëm.
Ata nuk kanë qytete, kampe, fortifikata dhe ferma, por jetojnë më tepër në çadra dhe janë vazhdimisht në lëvizje nga një vend në tjetrin - me ndihmën e trupave dhe të afërmve të tyre. Ata kanë vetëm një qytet të quajtur Duracium (Durrës), i cili i përket latinëve dhe prej të cilit marrin pëlhura dhe gjërat e tjera të domosdoshme. Princi i Tarantit, djali i mbretit të Sicilisë,[4] tani sundon mbi një pjesë të këtij mbretërimi, përfshirë qytetin e Durrësit. Ishte vullneti i lirë i pronarëve të tokave që, për shkak të dashurisë së tyre të natyrshme për francezët, e pranuan atë spontanisht dhe lirshëm si zotin e tyre.[5]
Nga Pulia dhe nga qyteti i Brindisit mund të kalohet në Durrës për një natë, dhe nga Durrësi mund të udhëtohet përmes Shqipërisë drejt Greqisë dhe Kostandinopojës, shumë më lehtë dhe pa të gjitha vështirësitë e rrugës dhe rreziqet e detit. Perandorët romakë të kohëve të lashta e përdornin këtë rrugë,[6] sepse është tepër e lodhshme të transportohet një ushtri e madhe në një periudhë të tillë kohe përmes detit dhe rrugëve kaq të gjata.
Mbretëria e përmendur e Shqipërisë tani nuk ka mbret, pasi toka është e ndarë midis pronarëve të tokave të cilët sundojnë vetë dhe nuk i nënshtrohen askujt tjetër. Kjo krahinë quhet Shqipëri sepse banorët e kësaj treve lindin me flokë të bardhë (albo). Qentë këtu janë të përmasave të mëdha[7] dhe kaq të egër sa vrasin si luanët. Siç përmend Plini, shqiptarët i dërguan një qen të tillë Aleksandrit të Madh, i cili në stadium mposhti luanë, elefantë dhe dema. Ata kanë sy të pikturuar, të përhimët në bebëza, të tillë që mund të shohin më mirë natën sesa ditën.
Janë dy Shqipëri: një në Azi pranë Indisë, për të cilën nuk po flasim këtu, dhe tjetra në Evropë që është pjesë e Perandorisë Bizantine dhe për të cilën po flasim këtu. Ajo përfshin dy krahina: Clisara (Këlcyra) dhe Tumuristi.[8] Përveç këtyre dy krahinave, ka edhe krahina të tjera pranë saj: Cumania,[9] Stophanatum,[10] Polatum (Pulti) dhe Debre (Dibra), të cilat janë krahina që paguajnë haraç ndaj shqiptarëve dhe më shumë a më pak u nënshtrohen atyre, pasi ata merren me bujqësi, kujdesen për vreshtat dhe për nevojat e jetës në shtëpi. Banorët e këtyre krahinave nuk lëvizin nga një vend në tjetrin si shqiptarët e sipërpërmendur, por jetojnë më tepër në banesa të qëndrueshme dhe në qytete; as nuk janë tërësisht katolikë dhe as tërësisht skizmatikë. Nëse dikush do t’u predikonte fjalën e Zotit, ata do të bënin sikur janë katolikë të vërtetë, sepse thuhet se nga natyra kanë një dashuri për latinët.
Shqiptarët e përmendur kanë një gjuhë që është e dallueshme nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, aq sa në asnjë mënyrë nuk mund të komunikojnë me popuj të tjerë. Kaq për Shqipërinë. /Telegrafi/
______________

















































