LAJMI I FUNDIT:

Përplasjet e Ismail Qemalit me Sulltanin

Përplasjet e Ismail Qemalit me Sulltanin
Ismail Qemali (retushim me IA i fotos së vitit 1890)

Nga: Evarist Beqiri

“Fryte dritë e Shqipërisë, / jashtë nga qytet i errët, / Ti veç dermën dhelpërisë / E të gëzoç na të mjerët./ Ti që kur dole në jetë/, Që kur bëri nëna djalë,/ Kokën e mbajte përpietë/ Edhe shpirtin zjarr e valë”.

Vargje kushtuar Ismail Qemalit nga poeti Dhamian Strati (i njohur edhe si Dush Strati ose Duçe Jorgo Baba), botuar tek “Kalendari Kombiar”, i vitit 1900.


Dinjiteti njerëzor ka një rol kyç në lëmin e lidershipit, i cili i tejkalon barrierat kohore dhe kulturore. Ky princip është pa aq i vlefshëm në jetë sa është edhe tek udhëheqësia. Respektimi i dinjiteti njerëzor vendos themelet mbi të cilat krijohet një mjedis pozitiv dhe produktiv. Ai mund të ushtrojë një fuqi të jashtëzakonshme transformuese tek udhëheqësia. Jo më kot ky parimi themelor gjendet në themel të shtetit të së drejtës. Dinjiteti njerëzor është një e drejtë e pandashme dhe e patjetërsueshme, të cilën e gëzon çdo qenie njerëzore. Ky shkrim përpiqet të ilustrojë vlerën që ka kuraja dhe dinjiteti tek udhëheqësia virtuoze. Kuraja dhe dinjiteti njerëzor janë dy anë të së njëjtës medalje.

Po ashtu nga Evarist Beqiri:
Ismail Bej Qemali në Kongresin e Xhonturqve në vitin 1902 në Paris
– “The New York Times” për arratisjen e Ismail Qemalit nga Stambolli
– Forca e karakterit dhe lidershipi: Zotësia e Ismail Qemalit, si guvernator i Bejrutit

Në një shkrim të shkurtër, por shumë domethënës që gazeta “Le Moniteur Oriental” ka botuar me titullin “Shënimet e ditës”, në Kostandinopojë, më 23 mars 1899, afro një vit para azilit vullnetar politik të Ismail Qemalit, flitet për një darkë të shtruar nga ambasadori britanik në Stamboll, Sir Nicholas Roderick O’Conor, për nder të ish-kryeministrit britanik, Lordit Rosebery. Në këtë darkë ishin ftuar disa personalitete të rëndësishme në Stamboll, ku përfshihet Ismail Qemal bej Vlora, ambasadori i Italisë në Stamboll Pansa, koloneli dhe znj. Ponsonby, zonjusha Milner, z. De Bunsen, dragomani i parë, Adam Block, sekretari i ambasadës, Scott, dhe z. Ëaterfield. Për këtë episod Ismail Qemali ka folur edhe në kujtimet e tij …

Kur Ismail Qemali shërbente si anëtar i ”Conseil d’État” (Këshillit të Shtetit), njoftohet gjatë një dreke me ambasadorin britanik në Stamboll, Sir Nicholas O’Conor, se kishte ardhur një letër nga Lordi Rosebery, ish-kryeministri britanik në vitet 1894-1895. Në këtë letër, ai i bënte me dije se do të vinte në Stamboll dhe donte të njihej me Ismail Qemalin. Ai e pranon ftesën dhe ditën e caktuar meqë u ndodh në Pallat, i bën me dije Sulltanit se do të ishte për darkë bashkë me ish-kryeministrin britanik dhe e pyeti nëse kishte ndonjë porosi për të. Por, Abdyl Hamidi i çon fjalë se nuk dëshironte që ai të merrte pjesë në darkë dhe t’i kërkonte ndjesë ambasadorit për këtë.

Përunjësia pa kurrfarë arsyeje, para një teke të tillë të Sulltanit, do ta bënte Ismail Qemalin të dukej qesharak para Lordit Rosebery dhe ambasadorit britanik. Për Ismail Qemalin, ruajtja e dinjitetit njerëzor vlente më tepër së kënaqja e tekave të sulltanit. Argumentet e Ismail Qemalit për të përligjur pjesëmarrjen e tij në darkë ranë në vesh të shurdhër.

Një nga pjesëmarrësit në këtë darkë, diplomati britanik Sir Maurice de Bunsen, do të shkruante në ditarin e tij: “Ismail Qemali është një nga të paktët që guxon të vijë në Ambasadë. Asnjë turk me pozita nuk lejohet të bëjë vizita ose të vijë për darkë në një Ambasadë pa lejen e Sulltanit, e cila shpesh refuzohet. Shumë po internohen përditë, dhe një gjendje terrori mbretëron kudo, e shkaktuar nga tmerri që ka Sulltani nga çfarëdolloj lëvizje liberale kundër tij”.

Sulltani i dërgoi të gjithë miqtë e tij në Pallat një e nga një për t’i mbushur mendjen. Pavarësisht kërkesave të sulltanit, Ismail Qemali shkoi në darkë dhe i shkroi paraprakisht një letër Sulltanit, në të cilën i thoshte se e dinte se duke mos iu bindur urdhrit të eprorit të tij perandorak, po kryente një akt që meritonte ndëshkim, por në këtë rast dinjiteti i tij personal dhe interesat e Sulltanit kërkonin që ai të mos e refuzonte këtë ftesë. Ai i bën me dije sulltanit se do të kthehej të nesërmen për të pritur urdhrat e tij. Dhe, ashtu bëri, shkoi të nesërmen në Pallatin Jildiz, për të pritur ndëshkimin dhe i tregon sulltanit për bisedat me Lordin Rosebery. Abdyl Hamidi II nuk ia përmendi më këtë punë.

Një episod tjetër kuptimplotë do të zhvillohej në 31 dhjetor 1908, kur Sulltan Abdyl Hamidi II, shtroi një darkë për nder të parlamentarëve osmanë të sapo zgjedhur. I vetmi deputet i opozitës, që refuzoi ftesën e Sulltanin ishte lideri i Partisë Liberale, Ismail Qemali. Këtë fakt e pasqyrojnë disa shkrime të shtypit ndërkombëtar të kohës si për shembull, gazeta kanadeze “The Gazette”, (Montreal, 4 shkurt 1909), që meriton të analizohet me kujdes, apo gazeta franceze “Le Temps” e 30 prillit 1909. Ismail Qemali e shikonte këtë darkë pajtimi si të pakuptimtë dhe të padenjë, ku deputetët shndërroheshin në puthadorë të Sulltanit.

Karakteri është thelbi i lidershipit virtuoz. Dhe, në momente delikate ai del në pah duke treguar personalitetin e njeriut. Në themel të lidershipit nuk qëndrojnë as titujt, as postet, as gradat, as vjetërsia, as eksperienca, por qëndron karakteri dhe aftësia për të ndikuar të tjerët. Kuraja është një nga ato cilësi të karakterit pa të cilën lidershipi nuk mbijeton dot. Jo më kot Winston Churchilli do të shprehej se: “Kuraja me të drejtë vlerësohet si e para ndër cilësitë njerëzore … sepse është ajo që i garanton të gjitha cilësitë e tjera”.

Lidershipi dhe pushteti nuk janë e njëjta gjë. Madje shpesh ato janë në kundërshti midis tyre. Historia na tregon plotë raste, në të cilat qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet, nuk përkthehet domosdoshmërisht në arritje pozitive. Përkundrazi, shpesh qëndrimi i stërzgjatur në pushtet dhe zvarritja pas tij, sjell pas edhe kalbjen e lidershipit. “Në fund, nuk janë vitet e jetës tuaj që kanë rëndësi. Por është jeta në vitet tuaja”, thoshte Abraham Lincoln.

Pushteti, ashtu si vjen edhe ikën, ndërsa lidershipi është diçka e brendshme që mbetet te ju dhe askush nuk mund t’ua heqë. Thelbi i lidershipit është forca morale e karakterit dhe jo zvarritja pas pushtetit. Lideri duhet t’i vendosë fre egos së tij, duke vendosur interesin e përgjithshëm mbi gjithçka.

Në qoftë se ju mposhteni nga uni dhe bota e ngushtë e dëshirave dhe interesave vetjakë, atëherë keni humbur forcën e lidershipit. Egoja personale është armiku kryesor i lidershipit. Lidershipi ka të bëjë me perceptimin. Me perceptimin që ju keni për veten dhe për të tjerët, por edhe me perceptimin që të tjerët kanë për ju. Shpesh perceptimi që ju keni për veten, nuk përputhet me perceptimin që kanë njerëzit përreth për ju. Sa më të ngjashme të jenë këto dy perceptime, aq më afër realitetit është vlerësimi për lidershipin.