Përplasja e trenave në Greqi, vijnë reagimet nga Kosova: Solidarizohemi me popullin grek
Një aksident hekurudhor ka ndodhur në Greqi, ku një tren me pasagjerë është përplasur me një tren mallrash.
Si pasojë e këtij aksidenti deri më tani 36 persona kanë humbur jetën kurse mbi 80 të tjerë janë lënduar.
Lidhur me këtë ngjarje tragjike, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani përmes një reagimi në Twitter u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.
“Zemrat tona janë me popullin e Greqisë pas aksidentit shkatërrues të trenit dhe humbjes tragjike të jetëve. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.
"Është zemërthyer të zgjohesh me lajmin për përplasjen e tmerrshme të trenit në Greqinë qendrore mbrëmë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë. Kosova qëndron pranë Greqisë pas kësaj tragjedie dhe populli i Greqisë është në mendimet dhe lutjet tona", ka shkruar Kurti.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas aksidentit në Greqi.
“Të tronditur dhe të pikëlluar thellësisht nga lajmi i aksidentit tragjik të trenit në Tempe të Greqisë. Ngushëllimet tona të përzemërta shkojnë për familjet e viktimave dhe lutemi për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Ne shprehim solidaritetin tonë me popullin dhe qeverinë e Greqisë”, thuhet në reagimin e MPJD-së. /Telegrafi/




























