Përplasen Bajrami – Murati për migrimin e popullsisë dhe zhvillimin ekonomik

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar qeverinë se po mashtron qytetarët me propagandë për zhvillim ekonomik, ndërsa të dhënat e Bankës Botërore tregojnë, sipas saj, se Kosova është vendi me tkurrjen më të madhe të popullsisë në botë.
“Banka Botërore ua rrëzon propagandën: Kosova është vendi i parë në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë. Më shumë njerëz ikin nga Kosova sesa nga vatrat e luftës. Prej kujt po ikin qytetarët? Prej lulëzimit ekonomik?”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Këtij qëndrimi iu kundërpërgjigj menjëherë ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar deputeten e LDK-së për manipulim me të dhënat.
Sipas Muratit, ndryshimi nga 1.76 milionë banorë (sipas vlerësimit të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023) në 1.6 milionë banorë (sipas Censusit 2024), nuk nënkupton largim të 160 mijë personave brenda një viti, por korrigjim statistikor.
“ASK ka bërë vetëm vlerësime nga viti 2011 deri më 2023, të cilat nuk e kanë pasqyruar me saktësi ikjen e popullsisë në vitet e mëparshme, sidomos gjatë eksodit të madh të viteve 2014-2015, kur LDK-ja e Bajramit shkoi në koalicion me PDK-në e Listën Serbe, ashtu siç pak a shumë po përpiqen të bëjnë edhe sot”, ka shkruar ai.
Murati shtoi se deklaratat e Bajramit përbëjnë ose manipulim të qëllimshëm, ose mungesë njohurie për statistikat, gjë që sipas tij duhet të ngritë shqetësim edhe për cilësinë e arsimit ku ajo ligjëron./Telegrafi/











































