Emri i një shtetasi shqiptar është përmendur në dokumentet që lidhen me çështjen e financierit amerikan Jeffrey Epstein, i cili u dënua për vepra të rënda penale, përfshirë trafikim qeniesh njerëzore dhe abuzime seksuale.

Sipas materialeve që kanë qarkulluar së fundmi në media, bëhet fjalë për një person me inicialet V. Berisha, i njohur edhe si “Vinny Berisha”, i cili rezulton të jetojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konkretisht në qytetin e Nju Jorkut.


Dokumentet tregojnë se emri i tij përmendet në të paktën 43 materiale të ndryshme, kryesisht në korrespondencë elektronike dhe letra të shkëmbyera mes tij dhe personave të lidhur me rrethin e Jeffrey Epstein.

Sipas raportimeve mediatike, këto komunikime dyshohet se lidhen me përpjekje për organizimin e një takimi në Manhattan, megjithatë nuk ka informacion publik që të konfirmojë se një takim i tillë ka ndodhur apo se Berisha ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare që të tregojnë se shqiptari është nën hetim apo se ndaj tij është ngritur ndonjë akuzë penale. Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë komente specifike lidhur me përmendjen e emrave në këto dokumente.

Publikimi i materialeve lidhet me procesin e deklasifikimit të dokumenteve gjyqësore të çështjes “Epstein”, të cilat përmbajnë emra personash të ndryshëm që kanë qenë pjesë e komunikimeve apo rrethit shoqëror të tij, pa nënkuptuar automatikisht përgjegjësi ligjore. /NOA.al/