Përleshje me thikë në Shtime, arrestohen pesë persona

Pesë persona janë arrestuar nga policia pas një përleshjeje që ndodhi në orët e mbrëmjes së 20 qershorit në rrugën “Skënder Salihu” në Shtime, ku dy persona pësuan lëndime të rënda trupore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, ku për shkak të një fjalosjeje gjatë lëvizjes me veturë, dy grupime u konfliktuan fizikisht, duke përdorur mjete të forta dhe një thikë.
Viktimat janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Në bashkëpunim me prokurorin kujdestar, hetuesit rajonalë dhe njësitet policore kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe më 21 qershor, rreth orës 22:40, kanë arrestuar pesë të dyshuarit: A. M. (19 vjeç), Sh. R. (19 vjeç), E. S. (18 vjeç), si dhe dy të miturit A. M. (17 vjeç) dhe L. M. (17 vjeç).
Sipas hetimeve paraprake, mes palëve kishte konflikte të mëhershme, ndërsa tre të dyshuarit e rritur janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Dy të miturit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po vazhdon të hetohet nga hetuesit rajonalë. /Telegrafi/



















































