Përkeqësohet dukshëm gjendja e Assange, zhvendoset në pavijonin shëndetësor të burgut

WikiLeaks ka bërë të ditur se themeluesi i saj Julian Assange është zhvendosur në spitalin e Burgut ‘Belmarsh’ në Britaninë e Madhe.
Një veprim i tillë, siç thuhet në një njoftim të WikiLeaks, përcjell Telegrafi, ka ardhur pas shqetësimeve rreth shëndetit të tij.
Po sipas njoftimit, shëndeti i Assange është përkeqësuar dukshëm gjatë shtatë viteve që ai kaloi në ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku siç thuhet “kushtet e jetesës ishin jokompatibile me të drejtat e njeriut”.
Veç kësaj, siç theksohet tutje, ai humbi peshë gjatë qëndrimit në Burgun “Belmarsh” në Britani të Madhe.
“Vendimi i autoriteteve të burgut për ta dërguar në pavijonin e shëndetit tregon më së miri për gjendjen e tij”, thuhet në njoftim.
Assange u arrestua muajin e kaluar pasi u përjashtua nga Ambasada e Ekuadorit në Londër prej së cilët kërkonte azil që prej 2012.
Ndërkohë Departamenti amerikan i Drejtësisë ka lëshuar 17 padi në drejtim të themeluesit të WikiLeaks.
Akuzat janë nga vjedhja dhe zbulimi i informacioneve me rëndësi për sigurinë kombëtare deri tek komprometimi i informacioneve të klasifikuara. /Telegrafi/





















































