Përjashtohet nga Garda ish-truproja i Berishës

Në listën e efektivave të liruar nga Garda e Republikës, me propozim të komandantit dhe miratim të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është edhe nënkoloneli Thoma Kalaci. Burimet zyrtare e kanë motivuar lirimin nga detyra të gardistëve me shkeljen e afatit të qëndrimit në gradë, transmeton Panorama.
“Lirimi nga detyra është bërë për shkak të konsumimit të gradës dhe karrierës”, kanë thënë burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme.
Ndërkaq, bie në sy mes të liruarve nga detyra emri i Arjan Adhamit. Ai është një nga efektivët e Gardës së Republikës që ka shërbyer me ruajtjen e afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Një tjetër emër nga gardistët e liruar është Dashamir Shehu, efektiv i përmendur në dosjen e Prokurorisë për “21 janarin”.
Sipas hetimeve të organit të akuzës, Dashamir Shehu ka qenë person nën hetim ndonëse nuk përfundoi i pandehur në lidhje me ngjarjet e 21 janarit.
Më 21 janar, Shehu ka qenë komandant i njësisë nr.2 që ka pasur si detyrë ruajtjen e godinës së Kryeministrisë, Kuvendit, banesën e Kryeministrit etj. Ai ka pasur nën varësi atë ditë 60 efektiva të Gardës.
Edhe dy efektivat e tjerë të Gardës të liruar dje nga detyra prej ministrit të Brendshëm, Vladimir Ndreraj, Frank Prenga, kanë qenë të angazhuar me 21 janarin dhe që janë verifikuar paraprakisht nga Prokuroria në lidhje me këtë ngjarje. /Telegrafi/

















































