Përfundon takimi i liderëve – Abdixhiku: Një farsë publike, Kurti me qëndrime të pandryshuara
Ka përfunduar takimi i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive parlamentare, me synimin për të zhbllokuar situatën politike dhe për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të ri.
Për më shumë se dy orë ka zgjatur takimi i liderëve të partive politike, i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që obligon konstituimin e Kuvendit të ri brenda 30 ditëve.
Pas përfundimit të takimit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, deklaroi se mbledhja ishte më shumë një farsë publike sesa përpjekje reale për zgjidhje politike.
“Së bashku me nënkryetaren e LDK-së, deputeten Bajrami, morëm pjesë me vullnet dhe qëllim të mirë për të gjetur zgjidhje, ndonëse me drojën se takimi ishte më shumë një farsë sesa substancial. Fatkeqësisht, kjo drojë u vërtetua – qëndrimet e deputetit Kurti ishin të njëjtat si më parë”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se, gjatë takimit, Kurti ka pranuar se nuk e ka shumicën në Kuvend, por ka vazhduar të kërkojë kushtëzime dhe të qëndrojë në pozicione të pandryshuara.
“Për LDK-në është e qartë: përgjegjësia për krijimin e shumicës i takon Kurtit, siç e përcakton paragrafi 130 i aktgjykimit të Kushtetueses. Ai e pranoi se nuk e ka shumicën, por kërkoi që të votohet fshehtë ose të rrëzohet ky votim duke e kthyer Haxhiun, dhe më pas të lidhet ky proces me zgjedhjen e nënkryetarëve. Këto kushte dhe qëndrime të pandryshuara e thellojnë krizën politike”, deklaroi Abdixhiku.
Ai paralajmëroi se çdo mosrespektim i aktgjykimit të Kushtetueses për LDK-në përbën hapin e parë drejt përmbysjes së rendit kushtetues në vend./Telegrafi/





























