Përfundon shtypja e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale 2025 – Arrijnë sot në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është përmbyllur procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025.


Fletëvotimet pritet të arrijnë gjatë ditës në Kosovë.

Shtypja është realizuar në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë “Cetis” në Celje të Sllovenisë, nën mbikëqyrjen e anëtarëve të KQZ-së dhe stafit të Sekretariatit të saj.

Po ashtu, përveç fletëvotimeve, janë shtypur edhe broshurat e kandidatëve, të cilat do të shpërndahen në vendvotime ditën e zgjedhjeve.

Sipas vendimit të KQZ-së, janë prodhuar gjithsej 3,600,820 fletëvotime, nga të cilat 1,800,410 për secilin lloj të zgjedhjeve – për Kryetarë dhe për Kuvendet Komunale.

Ky numër përfshin fletëvotimet për të gjitha format e votimit: në vendvotime të rregullta, votim me kusht, për persona me nevoja të veçanta, me postë dhe fletëvotimet rezervë.

Për këtë proces, KQZ ka paraparë një reduktim prej 13% në numrin e përgjithshëm të fletëvotimeve në krahasim me numrin e qytetarëve me të drejtë vote. Kjo nënkupton 268,688 fletëvotime më pak, duke reflektuar një planifikim më efikas të burimeve zgjedhore.

Sipas Listës Votuese të certifikuar nga KQZ, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë gjithsej 2,069,098 qytetarë.

Prej tyre, 2,025,105 do të votojnë brenda territorit të Kosovës dhe 43,993 janë regjistruar për të votuar përmes postës nga jashtë vendit.

Zgjedhjet do të zhvillohen në 948 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime.

Nga to 910 Qendra të Votimit me 2,571 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 Qendra të Votimit me gjithsej 54 vendvotime janë të përcaktuara për votimin me kusht.

KQZ ka garantuar se të gjitha materialet zgjedhore do të shpërndahen në kohë dhe se procesi i përgatitjes për zgjedhjet e 12 tetorit po ecën sipas planifikimeve./Telegrafi/