Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka përfunduar asfaltimi i rrugës “Sabedin Prekazi” në lagjen Iliridë, një investim që synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit për banorët e kësaj zone.

Punimet i vizituan nga afër kryetari i Komunës Faton Peci, nënkryetari Enis Osmani dhe drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Naser Muja të cilët u njohën me përfundimin e projektit.


Sipas Komunës, ky investim është pjesë e angazhimit për modernizimin e infrastrukturës lokale dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.

Me këtë rast, kryetari Faton Peci theksoi se puna për zhvillimin e infrastrukturës do të vazhdojë edhe në projekte të tjera.

“Edhe shumë punë na presin, e bashkë do t’i çojmë përpara”, u shpreh Peci.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se investimet në infrastrukturë mbeten ndër prioritetet kryesore, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe shërbimet për qytetarët. /Telegrafi/