Prokuroria Themelore në Prishtinë ngrit aktakuzë ndaj avokates Shemsije Sheholli dhe përmbaruesi privat Isak Islam, për shkak të veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 të KPRK-së dhe I.I për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 i KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, njofton se pas një pune të gjatë dhe të suksesshme hetimore ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në veprimet e të pandehurës Sh.Sh, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, janë plotësuar elementet e veprës penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së.


Ndërkaq, gjithashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.I., në cilësinë e përmbaruesit privat, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veten dhe tjetrin, në mënyrë të kundërligjshme ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare, me të cilat veprime ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 të KPRK-së.

"Të pandehurit me veprimet e tyre kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, si dhe të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 25,000 € (njëzet e pesë mijë Euro)", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Më tutje, thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftimin veprave penale të korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare. /Telegrafi/