LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësues të Odës Amerikane takojnë Hyland, flasin për investimet në Kosovë dhe ndalimin e importit nga Serbia

Përfaqësues të Odës Amerikane takojnë Hyland, flasin për investimet në Kosovë dhe ndalimin e importit nga Serbia

Një delegacion i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë u takua me Colleen Hyland, Drejtoreshë e Zyrës së Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit Amerikan, për të diskutuar aspektet kryesore të mjedisit ekonomik të Kosovës.

Në njoftim thuhet se gjatë takimit, përfaqësuesit e Odës Amerikane shprehën shqetësimet e tyre lidhur me angazhimin me sektorin publik në fushën e politikave ekonomike dhe prospekteve të tërheqjes së investimeve.

“Veçanërisht, ata ritheksuan urgjencën e heqjes së ndalimit të importit të produkteve finale nga Serbia, duke përmendur ndikimin negativ në brendet amerikane dhe të tjera ndërkombëtare që operojnë në Kosovë. Ata gjithashtu shprehën shqetësimet lidhur me ndikimin negativ që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë në operacionet e tyre afariste”, thuhet në njoftim.


Kurti takon drejtoreshën për Çështje të Evropës në DASH, Collen Hyland – e njofton për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe konvertimin e targave në veri
Lexo po ashtu Kurti takon drejtoreshën për Çështje të Evropës në DASH, Collen Hyland – e njofton për sulmin terrorist të 24 shtatorit dhe konvertimin e targave në veri

Sipas njoftimit të Odës Amerikane, drejtoresha Hyland mirëkuptoi qëndrimin e Odës Amerikane, duke theksuar efektet e dëmshme të ndalimit të importit si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.

Lidhur me çështjen e prospekteve të tërheqjes së investimeve, ajo rekomandoi që Kosova të ndërmarrë masa proaktive për të përmirësuar brendin e saj ndërkombëtarisht.

Drejtoresha Colleen Hyland theksoi rolin e rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kjo do të kontribuonte dukshëm në krijimin e një mjedisi të favorshëm për rritje ekonomike.

Ajo nënvizoi rëndësinë e fokusimit strategjik të Kosovës në fushat që lehtësojnë avancimin e vendit. Në këtë kontekst, Hyland inkurajoi Kosovën që t’u japë përparësi nismave që nxisin bashkëpunimin dhe forcojnë pozitën e saj ndërkombëtare. /Telegrafi/