LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësues të OAK takohen me drejtues të ATK-së

Përfaqësues të OAK takohen me drejtues të ATK-së

Problemet me vendimet e inspektorëve të ATK-së gjatë kontrolleve tek bizneset, organizimi i lojërave shpërblyese dhe çështje tjera që kanë të bëjnë me TVSH-në ishin ndër temat kryesore në takimin që përfaqësues të Odës së Afarizmit patën me drejtorin e ATK-së Ilir Murtezaj.

Kryetari i Bordit të OAK Skënder Krasniqi shpreson se bashkëpunimi OAK-ATK do të vazhdojë sikurse me ish drejtorin Sakip Imeri, pasi që konsiderohet i domosdoshëm në mënyrë që të arrihet zgjidhja e problemeve me të cilat bizneset po përballen.


Krasniqi theksoi disa nga çështjet që bizneset anëtare kanë adresuar për ATK-në, ndër të cilat janë largimi i pagesës së TVSH-së në kufi dhe mos ngarkimi i biznesit me TVSH për faturat e shitjes që nuk janë inkasuar.

“Organizimi i lojërave shpërblyese pas shfuqizimit të Ligjit për Lojërat e Fatit është një çështje që po shqetëson bizneset ditët e fundit, e për të cilën dëshirojnë të informohen më detajisht nga ju”, tha  Krasniqi.

Lulzim Gashi pronar i “Bel – Kos” SH.P.K. informoi më gjerësisht lidhur me problemin e tij nga një vendim i marrë nga inspektori gjatë realizimit të kontrollës.

Drejtori Murtezaj theksoi se parim kryesor i të gjithë personelit të ATK-së është të konsiderojnë të gjithë tatimpaguesit në mënyrë të barabartë.

Sipas tij pagesa e TVSH-së, rregullohet me ligjin e ri të TVSH-së dhe pastaj mund të nxirren akte nënligjore, mirëpo ende nuk ka kaluar në Parlament.

Ndërsa sa i përket organizimit të lojërave shpërblyese zëvendësdrejtori i Përgjithshëm Hamdi Hoxha informoi që organizimi i tyre ka qenë i rregulluar me Ligjin e Lojërave të Fatit, i cili është shfuqizuar me aprovimin e Ligjit për Ndalim të Lojërave të Fatit. Hoxha shtoi që momentalisht nuk ekziston ligji përmes së cilit rregullohet organizimi i tyre, arsye për të cilën ATK nuk lejon një organizim të tillë.