Përballja me Benfican dhe një El Clasico në finale të Ligës së Kampionëve - Flick i thotë të gjitha para gazetarëve

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se po punojnë posaçërisht me Dani Olmon për ta rikthyer atë në 100 për qind, pas disa muajsh pa vazhdimësi në formacionin fillestar.
Ai duhet të ketë shumë mundësi në javët e ardhshme me një program të ngjeshur dhe të vështirë në rrugë.
Në këtë kalendar përfshihet Benfica, kundërshtarja e Barcelonës në 1/8 e Ligës së Kampionëve, me të cilën u përballën edhe në fazën e grupeve.
"Është një ndeshje e komplikuar", deklaroi Flick në konferencë për media. “Ata po bëjnë mirë dhe ne tashmë e kemi parë këtë. Në këtë raund të Ligës së Kampionëve nuk ka kundërshtar të lehtë. Do të jetë një ndeshje e vështirë”.
Flick nuk ishte i gatshëm të vlerësonte perspektivën e një finaleje të mundshme në El Clasico në Ligën e Kampionëve, as një garë të mundshme për tripletë nga Blaugranasit.
“Së pari duhet të shkojmë në finale, nuk më intereson rivali. Është një rrugë e gjatë. Së pari kemi Benfican, e cila është një skuadër e madhe”, potencoi më tej gjermani.
“Nuk është e lehtë, është një rrugë shumë e vështirë. Ne do të japim maksimumin, por kur sheh cilësinë e ekipeve të tjera është mbresëlënëse".
"Është mirë të kemi këto ndeshje të nivelit të lartë, është konkurrencë. Ne luajmë futboll për këtë arsye”, shtoi Flick. /Telegrafi/






















































