LAJMI I FUNDIT:

Për shkak të Isa Mustafës, serbët e veriut ndërpresin bashkëpunimin me KFOR-in

Për shkak të Isa Mustafës, serbët e veriut ndërpresin bashkëpunimin me KFOR-in

Përfaqësuesit politik të serbëve të veriut të Kosovës, kanë ndërprerë komunikimin dhe marrëdhëniet me KFOR-in, thuhet nga kabineti i kryetarit të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq.

Përfaqësuesit politik serbë të Kosovës “dënojnë ashpër instrumentalizmin e KFOR-it i cili sot ka luajtur një rol politik me rastin e Isa Mustafës, i cili pa paralajmërim qëndroi në veri dhe për këtë ndërpritet komunikimi dhe bashkëpunimi me KFOR-in”, thuhet në deklaratën nga kabineti i Rakiqit ndërsa transmeton Tanjug.


Në deklaratë precizohet se përfaqësuesit serbë nga komuna veriore e Mitrovicës, Zvecani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi të kenë thënë se “KFOR-i me këtë veprim ka tejkaluar linjën e hollë që e ndan atë nga paqeruajtësit nga okupatori sepse në vend që të shërbejë stabilitetit në vend sot ka qenë faktor destabiliteti”.

Ndryshe, sot kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka marrë pjesë në përurimin e urës në Bistricë edhe pse një grup i serbëve kanë bllokuar rrugën në fshatin Rudare por kryeministri ka përdorur rrugë alternative për të shkuar në vendin e ngjarjes. /KosovaPress/