Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka bërë publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2022.

Në këta formularë zyrtarët kanë deklaruar shtëpi e vetura, troje e pasuri të gatshme monetare.

Por disa politikanë kanë deklaruar pasuri në aksione dhe kriptovaluta që deri vonë nuk ka qenë e zakonshme në Kosovë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati bëri bujë të madhe vitin e kaluar kur deklaroi pasurinë, e që në formularë u dhanë detaje për aksionet që ai posedon në disa kompani të njohura ndërkombëtare.

Mirëpo një vit pas, vlera e aksioneve të ministrit në këto kompani ka ndryshuar.

Mbi 22 mijë euro janë rritur aksionet e Muratit në kompaninë e njohur Tesla, derisa për rreth 2 mijë euro atij i kanë rënë aksionet në kompaninë amerikane të filmave, serialeve e shfaqjeve televizive “Netflix”.

Pasuria e kryetarëve të komunave që qeverisen nga LVV, prin Rahimaj i Kamenicës Pasuria e kryetarëve të komunave që qeverisen nga LVV, prin Rahimaj i Kamenicës

Aksionet i kanë mbetur të pandryshuara në kompaninë Allianz, derisa fare pak ndryshime te aksioneve ka në Volkswagen.

Krahasimi i pasurisë së ministrit Hekuran Murati në tri vite

2020
Pasuri e paluajtshme: 61 mijë euro
Detyrime: 35 mijë euro
Veturë: 3,100 euro
Para të gatshme: 11 mijë euro
Letra me vlerë: 23,400 euro
Të hyrat vjetore: 15,600 euro

2021
Pasuri e paluajtshme: 61 mijë euro
Detyrime: Nuk ka
Veturë: 3,100 euro
Para të gatshme: 9,300 euro
Letra me vlerë: 46 mijë euro
Të hyrat vjetore: 27 mijë euro

2022

Pasuri e paluajtshme: 61 mijë euro
Detyrime: Nuk ka
Veturë: Nuk ka
Para të gatshme: Mbi 14 mijë euro
Letra me vlerë: 64,700 euro
Të hyrat vjetore: Rreth 17 mijë euro

Aksionet Murati i ka blerë në vitin 2014-n./Telegrafi/