LAJMI I FUNDIT:

PËR ATA NË PARAJSË

PËR ATA NË PARAJSË

Poezi nga: Xhevdet Bajraj

Duhet guxim i madh për të jetuar në kujtesën e të tjerëve
Miku im i shtrenjtë
Dhembjen e kam këmishë të përditshme
Me cigare të lira në xhepin e saj
Dhe një biletë autobusi që kurrë nuk e shfrytëzova
Për në Bellacërkë


Duhet guxim i madh të jetosh nëpër ëndrrat e të tjerëve
Miku im i vrarë
Unë shpesh dehem me raki e dhembje
Kafeneve të Mexico City-t
Dhe fle si i vdekur
Mbi ujërat e zeza të poezisë që i shkruan jeta

Kosova çeli si vezë shqiponje
Pa ty
Liria erdhi si fëmijë me vaj e me qyrra
Dhe ende pret pranë nevojtores së historisë
Të përfundojë lufta mes krimbave për kolltuqet
e mbushura me pasthirrmat e atyre që nuk janë më