Zëdhënësja e Pentagonit, Kingsley Wilson, ka shprehur pakënaqësinë e saj ndaj serialit të ri të Netflix-it me temë ushtarake dhe LGBTQ+, “Boots”, i cili është shfaqur javën e fundit dhe ka hyrë menjëherë në listat e shikueshmërisë në platformë.

Në një deklaratë për Entertainment Weekly, Wilson e quajti serialin “një përpjekje për të shtyrë agjendën ideologjike të Netflix-it për ushtrinë amerikane”.


“Nën udhëheqjen e Presidentit Trump dhe Sekretarit [Pete] Hegseth, ushtria amerikane po rikthehet në thelbin e saj luftarak”, tha Wilson.

“Standardet tona janë të larta, të unifikuara dhe të paanshme ndaj gjinisë, sepse pesha e një çante ose e një trupi njerëzor nuk pyet nëse je burrë apo grua, homoseksual apo heteroseksual”.

Seriali “Boots” ndjek historinë e Cameron Cope (luajtur nga Miles Heizer), një adoleshent homoseksual i fshehtë, dhe mikut të tij më të ngushtë Ray McAffey (Liam Oh), të cilët bashkohen me Marinsat Amerikanë gjatë periudhës së politikës “Mos pyet, mos trego”.

- YouTube youtu.be

Wilson shtoi se standardet e ushtrisë amerikane do të mbeten të pandryshuara, pavarësisht mënyrës se si paraqiten në serialin e Netflix-it: “Ne nuk do t’i ulim standardet tona për të kënaqur ndonjë agjendë ideologjike — ndryshe nga Netflix, i cili vazhdimisht prodhon dhe shpërndan ‘mbeturina të zgjura’ për publikun dhe fëmijët”, tha ajo.

Netflix nuk ka dhënë ende një koment lidhur me deklaratat e Pentagonit.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është kritikuar prej kohësh për veprimet e tij kundër komunitetit LGBTQ+ në radhët e ushtrisë. Ai ka hequr emrat e aktivistëve homoseksualë nga anijet e Marinës dhe ka tentuar të përjashtojë personat transgjinorë nga shërbimi aktiv.

Hegseth ka qenë një kundërshtar i ashpër i kulturës “woke”, duke premtuar ta eliminojë atë nga forcat e armatosura dhe duke kundërshtuar politikat që promovojnë standarde fizike neutrale ndaj gjinisë apo përdorimin e përemrave gjinorë.

Seriali “Boots” është krijuar nga Andy Parker dhe bazohet në kujtimet e Greg Cope White, një ish-sergjent i Korpusit të Marinës Amerikane, të botuara në librin “The Pink Marine”. Projekti është prodhuar nga veterani i Luftës së Dytë Botërore Norman Lear, dhe të gjitha tetë episodet janë tashmë të disponueshme në Netflix.

Në një intervistë për TheWrap para premierës, Parker tha se nuk e sheh serialin si një projekt politik, por si një tregim njerëzor që ndriçon vështirësitë e atyre që shërbejnë në ushtri - veçanërisht kur përballen me diskriminim për shkak të orientimit të tyre seksual.

“Ky serial futet thellë në ndjesinë e frikës dhe diskriminimit që shumë njerëz kanë përjetuar”, tha Parker. “Nuk është mirë që një institucion të ‘gëlltisë’ njerëzit që zgjedhin të shërbejnë me nder. Shpresoj që ‘Boots’ të sjellë një dritë njerëzore mbi këtë realitet dhe të rrisë ndjeshmërinë e publikut”. /Telegrafi/